Maqedoni

Hapja e paraleles shqipe, Shaqiri kërkon mirëkuptim për zgjidhjen e problemit

02.10.2023 16:51

Pas vlerësimit të Inspektoratit të Arsimit se Shkolla Fillore “Njegosh” pranë Komunës së Gazi Babës...

Pas vlerësimit të Inspektoratit të Arsimit se Shkolla Fillore “Njegosh” pranë Komunës së Gazi Babës i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e një paraleleje shtesë, numri një i dikasterit të Arsimit, Jeton Shaqiri, potencon se ka filluar iniciativën për t’i marrë kompetencat Komunës së Gazi Babës, por ka kërkuar mirëkuptim nga prindërit e nxënësve me të cilët do të takohet për të marrë hapat e mëtejshëm.
 
“Kam filluar iniciativën në bazë të raportit të Inspektoratit për t’i marrë kompetencat, por në bazë të analizës të cilin e kemi, nuk ka person përgjegjës brenda shkollës që merr përsipër obligimin dhe sot dhe nesër i takoj përsëri prindërit që të arrijmë mirëkuptimin. Në programin e vitit 2024 do të vendoset pas shumë kohe projekti i ndërtimit të një shkolle të re ku ka kërkuar komuna lokacion dhe brenda kohës unë kërkoj mirëkuptim, nëse nuk e arrijmë, do të shohim të gjithë masat juridike që i kemi.”, - deklaroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. 
 
Problemet me tekstet shkollore, Shaqiri: Deri në fund të javës dorëzohen të gjitha librat
 
Shaqiri bëri të ditur edhe se ka filluar dorëzimi i teksteve për klasën e gjashtë. Deri në fund të javës, pret që të dorëzohen të gjitha tekstet shkollore dhe nëse do të jetë nevoja do të kërkojë nga operatori ekonomik që të vazhdojë shpërndarjen gjatë fundjavës.
 
“Javën e kaluar ka filluar printimi dhe për secilën ditë bëhet dorëzimi i teksteve për klasën e gjashtë. 98 për qind prej teksteve që janë aprovuar në Këshillin nacional kanë mbetur një ose dy lëndë që aprovohen këto ditë dhe do të mbyllet si problem për arsimin fillor.”, - theksoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. 
 
Sa i përket teksteve në shkollat e mesme, që nxënësit ankohen se po mësojnë nga tekstet e dëmtuara, Shaqiri thotë se disa nga shtëpitë botuese që kanë të drejtë pronësie kanë kërkuar shtyrje pesë-ditore në mënyrë që tekstet t’u sigurohen të gjithë nxënësve. Të gjitha tekstet shkollore që janë miratuar nga shërbimi pedagogjik lëshohen menjëherë me kontratë për shtypjen e tyre. Fakti që ka procedura ankimore për tekste të caktuara nuk varet nga Ministria, tha Shaqiri.
 
FLUTURA LATIFI