Maqedoni
Racioni studentor, LD: Racioni të jetë 300 denarë dhe pa kufizime
02.10.2023 17:09
Rinia e Lëvizjes Demokratike, në formë proteste para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës....

Rinia e Lëvizjes Demokratike, në formë proteste para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ka shprehur pakënaqësi me ndryshimet e fundit të Ligjit për arsim të lartë me të cilin, sipas tyre, është kufizuar racioni studentor prej 140 denarëve. Vlerësojnë se mjetet për këtë dedikim duhet të rriten në 300 denarë dhe të hiqet kufizimi për shfrytëzimin e saj.
“Ata pak studentë që përfitojnë nga ky subvencion u imponohet që mjetet t’i shfrytëzojnë me diktat nga e hëna deri të shtunën edhe atë nga 140 den në ditë në vende të caktuara për ushqim dhe pa të drejtën e tërheqjes së parave të gatshme. Kërkojmë që shuma e shujtës të rritet në 300 den, pa restriksione se si të shfrytëzohet e njëjta.”, - deklaroi Arbnor Maliqi nga Lëvizja Demokratike.
Shaqiri: Mbi 70% e studentëve morën kartelat
Racioni studentor ka filluar të aplikohet para më shumë se tre viteve, ndërsa në bazë të nevojës, në diskutim me Unionet Studentore në të ardhmen mund të ketë ndryshime të tjera të ligjit në harmonizim edhe me praktikën e vendeve të tjera, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Sipas Shaqirit, këto ndryshime kanë për qëllim të arrihet qëllimi i racionit studentore dhe jo grumbullim i mjeteve. Mënyra e harxhimit më herët nuk ishte efikase për racion studentor.
“Është bazë ligjore, e cila është për një ditë. Qëllimi i racionit ushqimor është ushqim ditorë dhe gjithë studentët duhet ta shfrytëzojnë në bazë ditore. Ka vende që e shfrytëzojnë një shumë, por jo maksimumi të grumbullohet që nuk harxhohet, sepse nuk arrihet qëllimi i racionit studentor.”, - u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Deri më tani më shumë se 70% e studentëve i kanë tërhequr kartelat e tyre bankare, me të cilat subvencionohet racioni studentor ditor prej 140 denarëve, njoftoi Shaqiri.
FLORIJE KAMBERI
