Maqedoni

Ngrohja qendrore në Shkup, KRRE: Ngrohje do të ketë, çmimet mund të rriten

02.10.2023 17:45

Kryetari i Komisionit Rregullator i Energjetikës, Marko Bislimovski...

Kryetari i Komisionit Rregullator i Energjetikës, Marko Bislimovski, premton se këtë dimër nuk do të vihet në pikëpyetje funksionimi i rregullt i ngrohjes qendrore në kryeqytet.
 
Dy javë para fillimit të sezonit, Beslimovski qetëson konsumatorët. Thotë, u riparua ose jo tubi i ngrohjes përgjatë urës “Bellasica” nga ana e Elektranave të Maqedonisë, nxehje do të ketë.  Ideja e riparimit, shton Beslimovski, është që të sigurohet më shumë energji termike nga TETO, por assesi, shpenzimet e këtij riparimi nuk duhet të bien në kurriz të konsumatorëve, premton Beslimovski.
 
“Sipas informacioneve të mia, tubi i ngrohtores do të vendoset përgjatë urës “Bellasica”, mirëpo edhe sikur të mos vendoset,  energji termike për ngrohje në Shkup do të ketë, mirëpo çmimi i ngrohjes do të ishte shumë më i lartë. Pra, me qëllim të mos i ngarkojmë financiarisht qytetarët shtesë për diçka që ata nuk kanë faj, KRRE-ja nuk do të merr vendim të rrisë çmimin e ngrohjes qendrore, për shkak  se nuk është vendosur ende tubi i ngrohjes.”, - deklaroi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski. 
 
Çmimi përfundimtar i ngrohjes do të dihet atëherë kur rregullatorët do të shohin në terren se po vendoset tubi i ri i ngrohjes përgjatë kësaj ure, deri atëherë, KRRE-ja nuk do të miratojë vendimin  për çmimet, qytetarët të jenë të qetë, thotë  Bislimovski.
 
“Kur do të vendoset tubacioni i riparuar i ngrohjes qendrore përgjatë urës “Bellasica”, ne atëherë do ta vazhdojmë procedurën për përcaktimin e çmimit të ngrohjes qendrore me të vetmin qëllim, që t’i mbrojmë qytetarët nga rritje që nuk u takojnë.”, - u shpreh kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski. 
 
Nga KRRE-ja thonë se energjia termike e siguruar nga TETO është tre herë më e lirë se sa nga operatorët tjerë, andaj rregullatorët insistojnë, që kryeqyteti t’i furnizojë pjesën më të madhe të energjisë termike për ngrohje nga TETO. Sipas të dhënave të KRRE-së rreth 60 mijë amvisëri janë shfrytëzues të ngrohjes. 
 
REXHEP QAMILI