Botë

Sulmi terrorist në Banjskë, Shqipëria e Kroacia dënojnë agresionin, Rama e Penkoviq kërkojnë sanksione ndaj Serbisë

02.10.2023 18:03

Shqipëria dhe Kroacia kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë menjëherë masa ndaj Serbisë...

Shqipëria dhe Kroacia kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë menjëherë masa ndaj Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës.
 
“Masa simetrike minimumi në raport me atë që janë marrë më parë për Kosovën, të cilat duhet të merren edhe për Serbinë. Ka programe dhe marrëdhënie të cilat përdoren për të thënë Stop. Reagimet duhet të jetë të qarta dhe të forta dhe duhet të përkrahin institucionet e Kosovës. Nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për të ndërmarrë këto hapa.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
“Më herët ju e dini që Komisioni Evropian ka ndërmarrë disa masa të caktuara në dëm të Kosovës para disa muajsh. Këto janë disa prej masave, të cilat në mënyrë autonome ndërmerren nga ana e Komisionit Evropian. Çfarë pritet tani është që i dërguari special dhe bëhet fjalë për ish-ministrin e punëve të Brendshme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, i cili është më se drejtpërdrejt i përfshirë së bashku me tërë shërbimin e politikës së jashtme  të drejtuar nga zoti Josep Borrell, do të bëjnë një propozim?”, - theksoi kryeministri i Kroacisë,  Andrej Plenkoviq. 
 
Në konferencën që Rama dhe homologu kroat Plenkloviq mbajtën për mediat në Zagreb, dënuan ashpër ngjarjen e 24 shtatorit në Kosovë dhe sjelljen e Serbisë.
 
“Këtu bëhet fjalë për një operacion paraprakisht të planifikuar pasi me pajisje të tilla dhe me një numër të madh të tillë njerëzish nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Si e tillë, ne konsiderojmë që kjo ngjarje është një incident shumë serioz dhe është një sinjal i fortë që tregon se ka forca, të cilat duan të destabilizojnë situatën në Kosovë dhe të destabilizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dëshirojnë të destabilizojnë situatën në hapësirën e Evropës Juglindore dhe natyrisht, nuk mund të mos e shohim këtë jashtë kontekstit gjeostrategjik në të cilin jetojmë sot.”, - u shpreh kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. 
 
“Vrasja e një efektivi të policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë, i veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi që u eliminuan nga Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të pajustifikueshme, janë të papranueshme dhe janë të dënueshme në të gjitha nivelet.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Rama u prit në Zagreb me ceremoni zyrtare, ndërsa 2 kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve.
 
LULJETA NDOKA