Maqedoni

Forumi i sigurisë në Varshavë, Petrovska: RMV-ja vazhdon mbështetjen për Ukrainën

03.10.2023 14:00

Evropa po përballet me luftë konvencionale, por edhe me sulme kibernetike dhe dezinformata...

Evropa po përballet me luftë konvencionale, por edhe me sulme kibernetike dhe dezinformata të orientuara drejt vendeve anëtare të NATO-s që e ndihmojnë Ukrainën. Maqedonia e Veriut ishte objektiv i sulmeve të tilla pas dhurimit të armëve për Ukrainën, theksoi ministrja e Mbrojtjes, Petrovska, në forumin e sigurisë në Varshavë.
 
“Vitin e fundit RMV-ja ka dorëzuar mbi 10 donacione me armë dhe pajisje Ukrainës. Vlera totale e donacionit është rreth 60 për qind nga buxheti vjetor i mbrojtjes. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë me këtë dhe llojet e tjera të mbështetjes për Ukrainën, për aq kohë sa është e nevojshme.”, - deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. 
 
Dhurimet e armëve dhe pajisjeve për Ukrainën shfaq nevojën që të rritet prodhimi i industrisë ushtarake, tha kryesuesi i komitetit ushtarak të NATO-s, admirali, Rob Bauer.
 
“Mbrojtja kundërajrore e integruar është pjesë e kapaciteteve që na duhen për shkak të luftës në Ukrainë. Në 10 vitet e ardhshme, shumica e aleatëve do të rrisin investimet në mbrojtjen kundërajrore, por edhe për sisteme, sensorë dhe objekte magazinimi për armë të tilla.”, - theksoi kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Rob Bauer. 
 
Për rritjen e sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe për të reduktuar sulmet nga Rusia dhe ndikimin e Kinës, duhet të ketë një zgjerim të Bashkimit Evropian, vlerësoi ministri slloven i Mbrojtjes, Marjan Sharec.
 
“Anëtarësimi në NATO i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi është i shkëlqyer, por duhet të kompletohet edhe me anëtarësimin në BE, sepse prania e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është ilaçi më i mirë për të gjitha tensionet në rajon.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë, Marjan Sharec.  
 
Pasojat e luftës në Ukrainë do të ndihen për një kohë të gjatë, prandaj NATO-ja duhet të përgatitet për mbështetjen afatgjatë të Ukrainës, vlerësuan pjesëmarrësit në diskutimin mbi luftën në Evropë dhe mbrojtjen kolektive të NATO-s në Forumin e Sigurisë në Varshavë.
 
FLUTURA LATIFI