UEFA, Superliga do të jetë një shkallë më lart se Champions

03.10.2023 14:08

Dy vite më parë klubet më të mëdha të Europës nga top-ligat kryesore europiane...

Dy vite më parë klubet më të mëdha të Europës nga top-ligat kryesore europiane, ju mblodhën dhe vendosën që të krijonin Superligën e Europës, një aktivitet që do të çonte në një nivel më të lartë performancën e futbollit, duke evituar ndeshjet e vogla. Kjo kishte si synim që të krijohej një kampionat klubesh paneuropian, për përfitime të majme falë nivelit të futbollit që kishin këto skuadra (Juventus, Real, Barcelona, Paris SG etj). Por projekti dështoi, pasi UEFA reagoi me forcë të vendosur dhe nuk e miratoi, madje i dërgoi për ndjekje penale klubet, si dhe me hetime të shumta për burimet e dyshimta të financimit.
 
Në lojë u futën shumë qeveri europiane që e ndaluan atë projekt. Por duket se UEFA paska pasur vetë në plan për ta zhvilluar një veprimtari të tillë sportive, e cila zëvendëson në një farë mase UEFA Champions League. Pra situata po ndryshon me shpejtësi. Referuar medieve sportive ndërkombëtare, UEFA tani mendon për Superligën e saj. Formati i ri do të zbatohet nga viti 2027 dhe parashikon “zhdukjen” e Championsit aktual. Nuk bëhet fjalë për atë projekt të hartuar nga “rebelët” Laporta, Perez dhe Agnelli, por për një kompeticion të sponsorizuar nga UEFA.
 
Hipoteza e bujshme është hedhur sot, në Spanjë, nga “El Pais”, që shkruan se Ceferin po mendon të anulojë formatin aktual të Champions League, Europa League dhe Conference League për një organizim krejtësisht të ri. Në vend të tyre do të luhej një lloj kampionati europian me tri divizione, me ngjitje nga kategoria dhe rënie. Emri i divizionit të parë mund të jetë pikërisht ai i shumëdiskutuari: Superliga.
 
Por si do të funksiononte Superliga e UEFA-s? Siç u përmend, do të ishte një lloj kampionati me 18 ekipe me vetëm dy rënie nga kategoria çdo sezon. Formati i ri, i cili do të zëvendësonte Ligën e Kampionëve, megjithatë do të fillonte vetëm në vitin 2027. Europa League dhe Conference League do të ruanin emrat e tyre aktualë, por do të shndërroheshin në dy grupe të tjera me nga 18 skuadra. Në këtë rast do të kishte katër rënie dhe ngjitje në kategorinë e dytë dhe të tretë të “kampionatit” të ri evropian. Ndërsa vetëm dy skuadra do të ngjiteshin nga Europa League në Superligë.
 
Kriteret e pranimit për Superligën e UEFA-s dhe dy divizionet e tjera nuk janë ende të qarta. Në këtë kuptim, mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e planifikuar për në fund të tetorit, mund të zbuloje detaje të reja. Mbetet të shihet se si do të reagojnë klubet që e kishin më parë në projekt këtë platformë sportive elitare futbolli.