U la anash nga Kosova, Kuc ftohet nga Mali i Zi

03.10.2023 14:13

Është një nga mesfushorët më të mirë në Kosovë, duke treguar paraqitje të mëdha në Superligën e Kosovës e jo vetëm....

Është një nga mesfushorët më të mirë në Kosovë, duke treguar paraqitje të mëdha në Superligën e Kosovës e jo vetëm. Bëhet fjalë për kapitenin e Ballkanit, Edvin Kuc, i cili gjatë ditës së sotme ka pranuar ftesën nga kombëtarja fqinje, Mali i Zi. Kishte zëra nga të gjithë se Kuc duhej të ftohej nga Kosova, mirëpo këtë situatë e ‘qetësoi’ shpejt selektori i Kosovës, Primoz Gliha.
 
Tekniku slloven bëri me dije se Edvin Kuc nuk do të ftohet nga Kosova për shkak të moshës së tij, duke e konsideruar si një zgjedhje emergjente në ndonjë rast lëndimi. Në listën e publikuar të hënën, selektori i Malit të Zi, Miodrag Raduloviq ka përfshirë në mesin e 29 futbollistëve edhe Edvin Kuç. Ai do t’i bashkohet Malit të Zi në grumbullim më 9 tetor, ndërsa pritet të aktivizohet në miqësoren kundër Libanit që luhet më 12 tetor në Podgoricë.
 
Selektori Raduloviq, ka thënë se në këtë ndeshje do të aktivizohen futbollistët që kanë pasur minutazhë të vogël dhe ata që janë ftuar për herë të parë te Mali i Zi. Pesë ditë pas miqësores me Libanin, Mali i Zi, do të përballet me Serbinë në udhëtim në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. 29-vjeçari është pjesë e Ballkanit që nga janari i vitit 2019, gjersa me klubin nga Suhareka ka fituar dy herë titullin kampion, derisa ka shijuar fazën e grupeve të Ligës së Konferencës për vitin e dytë radhazi.