Botë

Kurti: Serbia duhet të ndëshkohet për sulmin në veri

03.10.2023 14:20

Me anë të sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit...

Me anë të sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, Serbia shfaqi ambiciet hegjemoniste për ta aneksuar veriun e Kosovës. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë debatit me temën “Procesi i Berlinit: Arritjet e deritanishme, pritjet nga samiti i ardhshëm dhe përfitimet e mundshme nga Iniciativa e Përbashkët e Tregut Rajonal”. Kurti tha se integrimi dhe përparimi i regjionit nuk duhet të jetë i varur nga vendet që nuk janë të gatshme që të punojnë së bashku, duke shtuar se Serbia nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
“Unë kam qenë në tavolinën e dialogut në Bruksel dhe proceset e Berlinit për marrëveshje, Serbia po punonte në plane ushtarake që të aneksojë Veriun. Ata nuk kanë orientim për anëtarësim në BE. Duhet të ketë pasoja për këtë sjelle dhe të gjithë ata duhet që të japin llogari për sulmin terrorist. Çështja më e rëndësishme sot është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi i sulmueseve. Ndëshkimi duhet të jetë ndaj Serbisë. Ekstradimi dhe dorëzimi i gjithë atyre që janë përndjekur. Shumica e atyre të përfshirëve në sulmin terrorist, ishin pjesëtar ose të Mbrojtjes civile ose Brigadës veriore ose i të dyjave. Unë besoj që diskutimet që do të zhvillohen në vijim, përfshirë edhe ato në forumet e Bashkimit Evropian, më i larti i tyre Parlamenti Evropian, për nga përfshirja qytetare demokratike, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit, dhe në të njëjtën kohë, të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status kuo-së.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Parlamenti Evropian, debat lidhur me sulmin në veri të Kosovës 
 
Parlamenti Evropian me iniciativë të grupit socialdemokrat ka thirrur një debat të jashtëzakonshëm lidhur me sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, ndërsa pritet ditëve në vijim të miratojë një rezolutë. Njëri nga iniciatorët e debatit, eurodeputeti kroat, Tonino Picula, ka deklaruar se rezoluta e cila pritet të miratohet do të prezantojë një vlerësim të qartë të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë KFOR-i ka bërë të ditur se po e shton praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës pas sulmit terrorist në veri. 
 
GYLTENE SINANI