Maqedoni
Ministri gjerman i Bujqësisë në Shkup: Integrimi në BE ndihmon edhe bujqësinë tuaj
03.10.2023 15:03
Federata gjermane do të bëjë çmos që vendi ynë të hapërojë më shpejt drejt Bashkimit Evropian...

Federata gjermane do të bëjë çmos që vendi ynë të hapërojë më shpejt drejt Bashkimit Evropian, siguron në Shkup ministri gjerman i Bujqësisë, Xhem Ozdemir, duke përkujtuar se ky rrugëtim tani nuk është edhe i lehtë për shkak të depërtimit të luftës në kontinentin e Evropës. Duke folur me homologun e tij të vendit, Lupço Nikollvski, për bashkëpunimin në fushën agrare, Ozdemir tha se anëtarësimi i vendit në familjen e madhe evropiane, hap shtigjet për qasje në tregjet e mëdha, me përfitim edhe në bujqësi.
“Për Republikën Federale të Gjermanisë është e qartë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe do të doja që në suaza të kompetencave të mia si ministër i Bujqësisë ta tregoj respektin tim për hapat që ka bërë vendi juaj në këtë rrugë deri më tani. Dua të them se kësaj radhe rruga nuk është e thjeshtë dhe e shkurtër në raport me luftën që po ndodh në Evropë. Lufta sërish është kthyer në Evropë dhe e gjithë kjo tregon se bashkëpunimi mes shteteve është shumë i rëndësishëm, ndërkaq këtë nuk e duan diktaturat.”, - deklaroi ministri i Bujqësisë i Gjermanisë, Xhem Ozdemir.
Nikollovski: Mbështetja gjermane ndikon në rezultatin agrar
Ministri i Bujqësisë, Nikollovski, mirënjohës për mbështetjen e madhe të shtetit mik gjerman në fushën e bujqësisë, si dhe për përkrahjen e tyre në reformat në dikasterin që drejton ai.
“Përkrahjes së madhe nga Bashkimi Evropian që për herë të parë vjen në fushën e pylltarisë me fillimin e projektit të madh të reformave nga muaji mars, tani i shtohet përkrahja e qartë dhe e fuqishme nga Gjermania në pjesën e agjendës së gjelbër.”, - theksoi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
Në kuadër të takimit dypalësh, dy ministrat e Bujqësisë kanë biseduar për rezultatet e deritanishme nga bashkëpunimi mes dy vendeve, si dhe për planet e ardhshme për zbatim më të mirë të agjendës së gjelbër evropiane. Ozdemir dhe delegacioni i tij kanë takuar edhe fermerë të rinj dhe kultivues të kulturave bujqësore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
