Amnistia, propozim-ligji hyn në procedurë parlamentare, Kovaçevski: Nuk bëhet për persona të caktuar
Propozim-ligji për amnisti...

Propozim-ligji për amnisti hyn në procedurë parlamentare. Do të votohet në formë të shkurtuar. Nga zyra e kryeparlamentarit Talat Xhaferi thonë se i njëjti tanimë iu është dorëzuar deputetëve për shqyrtim.
“Informojmë se nga Qeveria kemi pranuar Ligjin për amnisti. Kryetari i Parlamentit dorëzoi ligjin deri tek deputetët. Ligji është në procedurë të shkurtuar.”, njoftojnë nga zyra e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.
Grupet parlamentare janë të ndara sa i përket ligjit. Opozita shqiptare me kritika, por edhe ajo maqedonase thotë se s’do të mbështesin ligjin me pretendimin se nga burgjet do të lirohen kriminelë.
Edhe LSDM-ja do të ndërhyjë në ndryshimet ligjore me amendamente, pasi ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, shfaqi kundërshtime. Sipas kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, grupi parlamentar i LSDM-së vepron i pavarur dhe amendamentet do të kenë për qëllim të pengojnë amnistinë e personave të caktuar.
“Ky ligj nuk është bërë për persona, por është bërë për vepra më të vogla. Megjithatë marrë parasysh ndjeshmërinë e rasteve të caktuara nga e kaluara, grupi parlamentar i LSDM-së do të dorëzojë amendamente. Fillimisht mund të merren parasysh aspektet ndryshe sa i takon finalizimit dhe nëpërmjet një procedure demokratike të arrihet zgjidhje e pranuar nga të gjithë ose të arrihet zgjidhje e cila nuk do të pranohet, pasi që keni paralajmërim nga VMRO-DPMNE-ja se s’do ta mbështesin ligjin.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickoski: Spasovski të lërë Qeverinë
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kërkon nga Spasovski të ndalojë teatrin dhe të largohet nga Qeveria nëse me të vërtetë konteston ligjin.
“Spasovski ka dy opsione, njëra: nëse nuk pajtohet, atëherë ta lëshojë Qeverinë. Opsioni i dytë është të ndalojë të bëjë teatër, të heshtë dhe të pranojë se të burgosurit e përfshirë me faljen janë kriminelë, kontrabandues të substancave narkotike, janë marrë me pastrim të parave, dhunë e të tjera. Po të njëjtët do të falen apo t’iu ulet dënimi dhe të gjenden sërish në rrugë dhe terrorizojnë qytetarin e ndershëm.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Këshilli Gjyqësor kërkon të përfshihet në debat
Nga Këshilli Gjyqësor kërkojnë të përfshihen në debat.
“Pres që procesi të jetë transparent, sa i takon efekteve të cilat do t’i sjell
ligji. Pres si Këshill Gjyqësor të përfshihemi në ndonjë pjesë të asaj procedure.”, - u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev.
Ministria e Drejtësisë, si propozuese e amnistisë, konsideron se me faljen do të ulet mbipopullimi i burgjeve. Numri i vendeve në burgje kap shifrën 2,113, ndërkaq për momentin edhe 2,200 persona presin që të vuajnë dënim. (Meral Ismaili, TVM2)
