Shkolla Fillore “Njegosh”, nxënësit presin të hapet paralelja shqipe
Po e shikojnë shkollën e tyre vetëm prej së largu...

Po e shikojnë shkollën e tyre vetëm prej së largu. Atyre edhe më tej po u pamundësohet të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
“Po më vjen keq se jam para shkollës dhe nuk po mundem të hyjë brenda për të mësuar.”, - tha nxënësi, Muhamedin Hasani.
Edhe më tej hapja e paraleles shqipe në Njegosh nuk po realizohet. Nxënësit e shkollës fillore “Njegosh” thonë se presin me padurim kthimin në bankat shkollore. Dëshira e tyre është të mësojnë në këtë shkollë, e jo të udhëtojnë me kilometra në ndonjë shkollë tjetër.
“Nuk mundemi të udhëtojmë në Shkup 40 minuta, ne jemi ende të vegjël, ne e kemi shkollën, por vetëm ta hapin paralelen shqipe.”, - tha nxënësja, Isra Seferi.
“Shumë na mungon shkolla, të gjithë shokëve dhe shoqeve.”, - theksoi nxënësja, Azemina Fejzullai.
“Dëshira ime është që të hapet paralelja shqipe, prej klasës së gjashtë deri të nëntën.” – u shpreh nxënësi, Remzi Sejdiu.
Nga Këshilli i Prindërve shqiptar informojnë se atyre i është propozuar hapja e paraleles në një shkollë tjetër, por opsioni i vetëm i pranueshëm për to do të mbetet që fëmijët e tyre të mësojnë në shkollën fillore “Njegosh”.
“Kemi dëshirë këtu të bëhet. Ëndrrat tona të bëhen zhgjëndërr. Ne duam që fëmijët tonë të mos udhëtojnë nga 40 kilometra. Për t’u zgjuar në orën 5 dhe për t’u kthyer përsëri vonë, nuk ka kohë as për mësim, as për pushim ai fëmijë. Kështu që apelojmë që të merren masa.”, - deklaroi Rizvan Seferi nga Këshilli i Prindërve.
Sipas tij, shkolla “Njegosh” ka hapësira të lira të mjaftueshme edhe për hapjen e klasave të reja.
Përndryshe, ditë më parë Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se në shkollën fillore “Njegosh” ka kushte edhe për hapjen e një paraleleje në gjuhën shqipe.
Gjithashtu, ditë më parë ministri i arsimit, Jeton Shaqiri, u zotua se do të zgjidh këtë problematik. Ai tha se nuk përjashtohet mundësia që t’i merren kompetencat për të menaxhuar me shkollën e komunës së Gazi Babës. (Ersan Pajaziti, TVM2)
