Rendi i ditës në Kuvend përplasi deputetin Zendeli me Xhaferin
Përplasje e ashpër në mes kryetarit të Kuvendit...

Përplasje e ashpër në mes kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe deputetit të Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, i cili në emrin e partive opozitare shqiptare kërkoi që në rend të ditës të vendoset edhe pika e plotësimit të vendit vakant në Komisionin Shtetëror Zgjedhor.
Por, ky propozim i deputetit Zendeli nuk u vendos në rend të ditës, nga se sipas kryetarit Xhaferi mungon materiali për debat. Kjo përgjigje zgjoi pakënaqësinë e deputetit Zendeli.
“Propozoj që rendi i ditës i mbledhjes 127 të plotësohet me një pikë plotësuese të rendit të ditës, e cila ka të bëjë me propozim-vendimin për shpalljen e zgjedhjes së anëtarit të KShZ-së.”, - theksoi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
“Ndërhyrja e deputetit Fadil Zendeli nuk do të vihet në votim, për faktin se nuk ka material adekuat.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Por, deputeti Zendeli akuzoi pikërisht Xhaferin, se ai qëndron pas gjithë kësaj bllokade.
“Këtë që thotë ai nuk qëndron aspak, sepse këtu nuk ka të bëjë me material, por është çështje e tij, ai vet duhet ta bëjë atë punë, por nuk e bën. Gati 1 muaj jam në komunikim me atë, por nuk e bën dhe prapë e vazhdon punën e njëjtë. Kjo nuk është çështje e dëshirës a dua apo nuk dua dhe ky tani parashtron këtu çështje dëshirash.”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
“Ti flet në emrin e partive opozitare, ndërsa unë tani unë këtu duhet t’ju them që ti nuk e ke atë të drejt që ti të flasësh në emrin e atyre. Çdo ditë del në press konferencë, Talati-Talati-Talati, duhet ta kuptoni se Talati nuk është ai që vendos këtu. Material nuk kam dhe unë këtu nuk jam konsultant i deputetëve, por jam kryetar i Kuvendit, lexoni rregullat. E tani, ulu në vend.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Edhe koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, pohoi se vërtet nuk kanë pranuar material, por ai vend i zbrazët, sipas tij duhet të plotësohet.
“Është e vërtetë se nuk kemi material, por po ashtu është e vërtet se institucioni i KShZ-së nuk është e kompletuar për shkak se mungon anëtari i opozitës. Ky institucion duhet të jetë i kompletuar se na duhet për procesin e zgjedhjeve që duhet të mbahen në fillimin e vitit 2024.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Sipas Kodit Zgjedhor, numri i anëtarëve në Komisionin Shtetëror Zgjedhor ndahen katër për partitë në pozitë, tre vende kanë partitë opozitare, kurse për momentin anëtari që i takonte ASh-së, ka mbetur i zbrazët. (Fitim Kryeziu, TVM2)
