Maqedoni

Tetovë, nuk ka kushte për personat me nevoja të veçanta

03.10.2023 17:10

Personat me nevoja të veçanta vazhdojnë të përballen me mungesë infrastrukture në qytetin e Tetovës...

Personat me nevoja të veçanta vazhdojnë të përballen me mungesë infrastrukture në qytetin e Tetovës. Sipas tyre, Tetova është qytet i pa lëvizshëm për personat me nevoja të veçanta. Ata thonë se  shumë të vështirë e kanë qasjen nëpër trotuare, institucione dhe markete.
 
Kurse shpesh herë rrezikojnë jetën e tyre duke lëvizur nëpër rrugët kryesore bashkë me automjetet. Ata gjithashtu shprehen të shqetësuar se edhe ndërtimet e reja janë pa standard dhe pa qasje për to.
 
“Qyteti ynë, me keqardhje e them, është i palëvizshëm për njerëzit me karrocë që lëvizin, janë të detyruar të ecin në rrugë ku ecin veturat dhe është në rrezik. Trotuaret i dimë si janë dhe qasjen për personat me karrocë e kanë më të vështir. Ka institucione që nuk kanë asnjë qasje me karrocë dhe personave me aftësi të kufizuar. Kemi bërë kërkesa dhe ato që ndërtohen tani nuk merren shumë parasysh, vazhdon të punohet pa qasje në trotuare, pa qasje në institucione.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Unë e kam shumë problem, kudo që nisi me karrocë, e kam problem qasjen çdo kund, sidomos në spital nuk ka lift, ka shkallët; është problem hyrja ose në shitore nëse shkoj të marr diçka, është shumë problem për mua dhe të tjerët. Në rrugë është shumë problem ose nga fshati të shkoj në qytet është problem me karrocë. Një ditë isha në Tetovë, mbeta, nuk dija ku të shkoj, më ndihmonte dikush që un të lëvizja. Për ne që jemi me nevoja të veçanta të bëhen trotuaret, spitalet, shitoret çka do që të jetë. Ne kemi nevojë të blejmë diçka që duam ne, por nuk kemi qasje.”, - theksoi një qytetar tjetër.
 
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, tha se janë duke punuar që këtyre personave t’u mundësohet qasje në të gjithë institucionet rrugë e trotuare.
 
Këto komente u benë sot gjatë një Panel Diskutimi me temë  "Pjesëmarrja politike e personave me aftësi të kufizuar.", që u organizua në bashkëpunim me Komunën e Tetovës. Personat me nevoja të veçanta kërkuan nga politikanët që të kenë përfaqësim edhe në Kuvendin e Republikës, por edhe në institucione tjera shtetërore. 
 
VISAR SADIKU