Botë
Zelensky: Vendim politik për fillimin e negociatave, Josep Borrel: 5 miliardë euro për Fondin Evropian të Paqes
03.10.2023 18:00
Fitorja e Kievit varet nga bashkëpunimi i vazhdueshëm me vendet anëtare të BE-së...

Fitorja e Kievit varet nga bashkëpunimi i vazhdueshëm me vendet anëtare të BE-së, theksoi presidenti ukrainas, Zelensky, i cili bëri thirrje për unitet politik dhe gatishmërinë e vendeve të unionit të përshpejtojnë procesin e pranimin të Ukrainës në bllok.
“Ukraina patjetër do të përmbushë pjesën e saj të punës, por është shumë e rëndësishme që të ketë një gatishmëri të ngjashme nga ana e unionit për vendim politik për fillimin e negociatave.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Në këtë vijë, kreu i diplomacisë evropiane, Borrel, theksoi se takimi jozyrtar midis Brukselit dhe kreut të shtetit ukrainas në Kiev tregoi përkushtimin e qartë të familjes evropiane.
“Propozova një pako të re shumëvjeçare bilaterale në kuadër të Fondit Evropian të Paqes, deri në pesë miliardë euro për vitin e ardhshëm. Shpresoj se do të arrijmë një marrëveshje para fundit të vitit, kur vendet anëtare duhet të bien dakord për rishikimin e kornizës financiare shumëvjeçare.”, - theksoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel.
Nga Shtëpia e Bardhë nënvizuan mbështetjen për Ukrainën dhe kërkuan nga republikanët të ndalojnë me lojërat që të përfundohet detyra.
"Nuk ka arsyetim për krizë të re. Këto lojëra duhet ndaluar. Pas Ukrainës qëndron një koalicion shumë i fortë ndërkombëtar. Edhe nëse Putin mendon se mund të na mundë, atëherë ai e ka gabim. Së shpejti me ndihmën për popullin ukrainas do të konfirmohet mbështetje e vazhdueshme.”, - u shpreh sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karin Jean-Pierre.
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar deri më tani katër kontingjente ndihmë për Ukrainën, ndërsa Kremlini thotë se vendet në mbarë botën po i prek lodhja nga konflikti.
"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt, por ne vazhdimisht theksojmë lodhjen nga ky konflikt, sponsorizimi jashtëzakonisht absurd i regjimit në Kiev do të rritet në vende të ndryshme, përfshirë edhe ShBA-në.", - theksoi zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov.
Vazhdojnë luftimet e ashpra në fushë. Në 24 orët e fundit, Rusia ka kryer sulme me artileri dhe dron në zonat civile në jug të Ukrainës.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se Rusia nisi një valë të re dronësh të prodhuar nga Irani në rajonet e Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk gjatë natës, duke shtuar se u rrëzuan 29 nga 31 dronët dhe u shkatërrua një raketë lundrimi.
LEUNORA KALIQI
