Botë

Itali, filluan hetimet për aksidentin tragjik

04.10.2023 08:33

Të paktën 21 persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur pas rrëzimit...

Italia është tronditur mbrëmjen e djeshme nga një aksident tragjik, që ndodhi në Mestre të Venecias, ku një autobus ra nga mbikalimi i Vempës dhe për pasojë 21 persona humbën jetën. Prokuroria e Venecias ka hapur një hetim mbi këtë aksident, ku humbën jetën dhe fëmijë.

 
Mes viktimave është një i porsalindur dhe dy fëmijë të mitur. Automjeti është përplasur pasi ka prekur telat e energjisë elektrike, duke rënë rreth 30 metra. Ndër hipotezat e para të aksidentit ishte gjendja shëndetësore e drejtuesit të mjetit, një 40-vjeçar italian i cili ishte gjithashtu mes viktimave. 
 
Kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, u shpreh: “Një tragjedi e madhe, qyteti është në zi.” 
 
Katër të plagosurit më rëndë në aksidentin e autobusit që u rrëzua në Mestre, ishin të moshës 20 deri në 30 vjeç. Sipas asaj që është mësuar, tre janë të shtruar në terapi intensive në spitalin “Angelo” në Mestre dhe një në Dolo. Ndërkohë si pasojë e aksidentit ka pasur dhe të plagosur, të cilët janë dërguar në spitalet e Qarkut. Katër prej tyre, në terapi intensive dhe ende nuk janë identifikuar.