Botë

ShBA, u shkarkua kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve

04.10.2023 08:42

Kevin McCarthi është shkarkuar nga pozita e udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve....

Kevin McCarthy është shkarkuar nga pozita e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara në një votë mosbesimi. Kjo është hera e parë në historinë amerikane që shkarkohet një zyrtar prej kësaj pozite përmes një votimi të këtillë. McCarthy është shkarkuar nga pozita e liderit të shumicës së republikanëve në këtë dhomë të Kongresit me 216 vota për dhe 210 kundër.
 
Politikanët e linjës së ashpër kanë votuar për largimin e tij, pasi McCarthy e ka arritur një marrëveshje me demokratët e Senatit për t’i financuar agjencitë qeveritare. McCarthy u ka thënë ligjvënësve në mbrëmje se nuk do të kandidohet më për këtë pozitë, por se do të angazhohet ndryshe, duke thënë se ka bërë shumë për Amerikën. 
 
“Besoj se mund të vazhdoj të luftoj, ndoshta në mënyra të tjera. Nuk do të kandidohem më për këtë pozitë. Puna, pavarësisht nëse e nënvlerësoni, unë e bëjë me të qeshur. Kam rrezikuar për publikun amerikan, pa marrë parasysh se çka është thënë. Kam luftuar për çka kam besuar dhe unë besoj në këtë vend të Amerikës.”, - deklaroi kryetari i sapo shkarkuar i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarth. 
 
Kongresi i ka rreth 40 ditë për ta arritur një marrëveshje që shmang mbylljen e Qeverisë amerikane. Procedura për shkarkimin e McCarthy-it është nisur nga republikani nga Florida, Matt Getz. Ai e ka akuzuar kreun e deritanishëm për arritjen e një marrëveshjeje sekrete me Shtëpinë e Bardhë për ta vazhduar financimin për Ukrainën, teksa është negociuar shmangia e mbylljes qeveritare në fundjavë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU