Maqedoni

Ligji për Administratën, Aliu: Rregullohet çështja e balancerit

04.10.2023 14:09

Të martën e javës së ardhshme para deputetëve do të jetë ligji për Administratën Publike...

Të martën e javës së ardhshme para deputetëve do të jetë ligji për Administratën Publike me të cilin përparësi do t’u jepet kandidatëve me vlerësime më të larta, si dhe ndryshime në procedurën dhe kohëzgjatjen e konkursit. Me këto ndryshime Institucionet publike nuk do të mund të realizojnë sistematizim më shumë se dy herë në vit. Ministri  i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Azir Aliu, thotë se në këto ligje rregullohet edhe çështja e balancerit, duke  mos toleruar që të keqpërdoren vendet e punës duke ndryshuar nacionalitetin në proporcion me konkurset në administratë shtetërore.
 
“Ky ligj definon listën e kandidatëve që aplikojnë për sektorin publik dhe ligj që thotë se patjetër të punësohet kandidati më i mirë në listë, gjë që nuk ishte deri tani. Me ligjin e vjetër aktet për sistematizim mund të bëheshin aq sa herë do të kishte nevojë institucioni dhe kishte keqpërdorime dhe tani limitojmë në maksimum dy akte për sistematizim të mund të kërkohet nga institucioni dhe jo më shumë se dy herë në vit. Gjithë kohës kam përmendur se jemi në proces të zvogëlojmë mundësitë e keqpërdorimit të balancerit dhe tani do të jetë shumë rëndë të keqpërdoret duke parandaluar fushën për numrin amë dhe nacionalitetin. Kur një qytetar krijon profilin e tij në sistem këto dy fusha nuk do të mund të ndryshohen.”, - deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Azir Aliu.
 
Në votim do të jetë dhe plotësimi i ligjit 101 A dhe B që ka të bëj me mediumet. Ministri Aliu thotë se pjesa prej 0.1 e buxhetit, e cila do të dedikohet për kampanja në interes për qytetarët, forma e ndarjes do të jetë: 65 për qind për mediume nacionale, 25 për mediume regjionale dhe 10 për mediume lokale. Ministri Aliu njëherit njofton se është arritur marrëveshje mes operatorëve telefonik të vendit dhe vendeve të Bashkimit Evropian, e cila ulë koston e shërbimeve të roamingut deri në 30 për qind për qytetarët dhe sektorin e biznesit. 
 
GAZMEND REXHEPI