Botë
Gjykata në Beograd la të lirë Radojçiqin, i ndalohet të shkojë në Kosovë
04.10.2023 14:47
Gjykata e Lartë në Beograd ka liruar nga paraburgimi Milan Radojiçiqin...

Gjykata e Lartë në Beograd ka liruar nga paraburgimi Milan Radojiçiqin, i cili ka pranuar se ishte pjesë e grupit që kreu sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Gjykatësi i procedurës paraprake në Serbi hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar masën e paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes. Sipas vendimit të Gjykatës, Radojiçiqit i është ndaluar largimi nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në Kosovë. Po ashtu Gjykata thuhet se i ka caktuar paraqitje në stacionin policor me datën një dhe 15 të çdo muaji, si dhe i është konfiskuar pasaporta e Republikës së Serbisë.
Sipas prokurorisë serbe, Radojiçiq akuzohet se ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese të fuqisë së madhe shkatërruese në Tuzla të Bosnjës dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator të këtij viti, kur edhe ka kryer sulmin në veri. Por, nga dëshmitë që ka publikuar Policia e Kosovës shihet se armët janë të Ushtrisë së Serbisë. Institucionet në Kosovë kanë kërkuar ekstradimin e tij në mënyrë që ai të gjykohet në Kosovë për krimet e kryera.
Eurodeputetët: Të sanksionohet Serbia për sulmin në Kosovë
Edhe deputetët e Parlamentit Evropian në debatin rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë kërkuan që autorët e sulmit të 24 shtatorit të dalin para drejtësisë. Eurodeputetët akuzuan drejtpërdrejt Serbinë për përfshirje në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës.
“Serbia është shkaktari kryesor i destabilitetit në Kosovë. Sulmi i militantëve serb ndaj Policisë së Kosovës është sulm klasik terrorist dhe zoti Borrel ka bërë gabim të madh që nuk ka thënë qartë. Në mënyrë të njëjtë para 30 vitesh me sulmin e militantëve serb ndaj policisë kroate ka filluar agresioni serb ndaj Kroacisë, prandaj nuk mund t’i nënvlerësojmë këto zhvillime në Kosovë. Bashkësia e komunave serbe dhe Lista Serbe janë nën kontrollin e Vuçiqit dhe ai çfarëdo autonomie serbe e shfrytëzon për të shkaktuar jo destabilizim, prandaj tani kurrfarë autonomie serbe nuk është e mundur. Vuçiqi nuk e ka dertin për raportet e mira mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Ai vetëm dëshiron Kosovën ta mbajë të dobët dhe jo stabile dhe kështu e mban shpresën se një ditë do t’ia kthej me luftë Serbisë. Për fat të keq, në këtë i ndihmon edhe Kisha Ortodokse Serbe, duke lejuar që në objektet e saja të skladohen armë. Prandaj BE-ja qartë duhet t’i thotë jo asaj politike të Serbisë.”, - deklaroi eurodeputeti kroat, Ladislav Iliq.
Poashtu disa anëtarë të tjerë të Parlamentit Evropian, duke përfshirë Tineke Strik, Thomas Weitz dhe Tys Rojten, kanë bërë thirrje për ngrirjen e fondeve për Serbinë. Parlamenti Evropian do të miratojë një rezolutë që dënon sulmin në Banjskë në seancën e dytë plenare të këtij muaji, e cila duhet të mbahet nga 16 deri më 19 tetor.
GYLTENE SINANI
