Maqedoni
Interpelanca për kryeprokurorin Joveski, opozita shqiptare: Xhaferi nuk po cakton seancën
04.10.2023 15:09
Opozita shqiptare akuzon kryeparlamentarin Talat Xhaferi...

Opozita shqiptare akuzon kryeparlamentarin Talat Xhaferi, se po shkel rregulloren dhe nuk cakton interpelancë për kryeprokurorin, Lubomir Joveski. Sipas deputetes së Alternativës, Safije Sadiki, kanë kaluar 15 ditë, pasi interpelancën e kanë dorëzuar më 14 shtator dhe ka të bëjë me punën e kryeprokurorit pas dyshimeve se ai ka pasur ndikim në devijimin e procesit gjyqësor për djegien e Spitalit Modular në Tetovë me pasojë 14 të vdekur.
“Ja u bënë 15 ditë dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk ka ftuar seancë plenare për këtë interpelancë. Kjo na bën të dyshojmë se ka diçka mes tij dhe Lubomir Joveskit, e që mund të ketë lidhje me ndonjë aferë korruptive që kryetari i Kuvendit e mbron kryeprokurorin edhe duke e shkelur rregulloren e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi deputetja e Alternativës, Safije Sadiki.
Deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, thotë se kryeparlamentari nuk u përmbahet as dakordimeve në koordinimin e rregullt të së hënave, ku do të duhej të vendosej edhe për interpelancën me një koordinim paraprak.
“Realisht të gjithë ne kur shkojmë në koordinim, pas koordinimeve shohim diçka krejtësisht tjetër, thirren seanca të tjera, debatohet për pika të tjera, kështu që koordinimi dhe puna rrjedhore brenda javës dallojnë shumë.”, - theksoi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
Kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi: Interpelanca në seancën e parë
Nga zyra e kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi, thonë se kryeparlametari respekton të gjitha afatet dhe vepron sipas rregullores.
“Kryeprokurori ka pranuar interpelancën më 18 shtator dhe duhet të përgjigjet në afat prej 15 ditëve. Ai ka kthyer përgjigje në kohë dhe e njëjta do t’iu shpërndahet të gjithë deputetëve. Interpelanca do të caktohet në seancën e parë të radhës.”, - thonë nga kabineti I kryeparlamentarit, Xhaferi.
Opozita thotë se do të vazhdojë betejën me të gjitha mjetet demokratike ndërkohë që nuk kursen akuzat për deputetët shqiptarë në pushtet për indiferencën e tyre për interpelancën ndaj Joveskit.
MERAL ISMAILI
