Luajtën në stadiumin e Hertas, tifozët protestuan

04.10.2023 15:15

Union Berlini po e zhvillon kampanjën debutuese në Ligën e Kampionëve....

Union Berlini po e zhvillon kampanjën debutuese në Ligën e Kampionëve. Sensacioni i edicionit të kaluar të Bundesligës ka arritur në fazën grupore të Championsit, ndërsa ndeshjen e parë si vendase, ndaj Bragas të martën, Union Berlini nuk ka mundur ta zhvillojë në stadiumin e tij “An der Alten Forsterei”. Stadiumi me 22 mijë ulëse nuk ka licencë për ndeshje të fazës grupore të Championisit.

Kështu Union Berlini është detyruar të luaj ndeshjet si vendas në Champion në stadiumin e rivalit më të madh, ekipit Hertha nga Berlini.

Tifozët kanë shpalosur pano me porosi të fuqishme ndaj UEFA-s lidhur me licencimin e stadiumit të Union Berlinit.

Në panon lartë shkruante “Rregullat e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve”. Më poshtë u shpalosën pano më të vogla me kushtet e shumta që duhet të plotësohen për marrjen e licencës.

Ndërkohë fare poshtë u shpalos porosia e fuqishme, përkatësisht akuza ndaj UEFA-s: “Ju nuk brengoseni për sportin – ju brengoseni vetëm për paratë”.

Ndeshja e parë e Union Berlinit në shtëpi kishte fund dramatik. Braga portugeze fitoi 3:2 me gol të shënuar nga Andre Castro në minutën e 94-t.