Qytetarët: Masa për uljen e çmimeve po jep rezultate

04.10.2023 15:36

Masa e Qeverisë për çmime të garantuara të produkteve....

Masa e Qeverisë për çmime të garantuara të produkteve, po jep rezultate konkrete, thonë qytetarë e anketuar. Por disa qytetarë theksojnë se çmimet në disa markete janë liruar vetëm për disa produkte që u është afruar afati i skadencës.

“Mirë janë, kështu edhe duhet të veprojë Qeveria, tani ka më shumë interesim, por varfëria e bën të veten. Nuk kanë popullata, janë harxhime të mëdha, patjetër duhet t’i shikojmë çmimet. Rrogat i kemi si në Shkup, e standardi sikur të ishim në Evropë.”, - theksoi një blerës.

“Të gjitha janë gënjeshtra të Qeverisë, njërën anë i rrisin, tjetrën anë i zbresin. Thonë 14% janë rritur, e disa kanë shkuar 100%, është për t’u habitur. Çmime të garantuara, atyre që u kanë kaluar afatet, kur e prenë sallamin - pëlcet.”, - tha një blerës tjetër.

“Unë mendoj se janë mirë, janë çmime normale. Mendoj që çmimet janë si duhet, nuk mendoj që janë të padrejta.”, - u shpreh një blerës.

“Na duket më lehtë për standardin, tani mirë janë. Ka dallim shumë, janë normal.”, - u shpreh një blerës tjetër.

Shitësit: Pas uljes së çmimeve është rritur shitja

Ndërkohë marketet garantojnë se me masat e Qeverisë, çmimet e tyre janë liruar. Madje ata thonë se ulja e çmimeve ka ndikuar në rritjen e punës.

“Respektohet në marketin tonë dhe ka shitje më të madhe prej kur kanë zbritur çmimet. Ka disa te mishi që ankohen, por ka edhe disa të tjera që janë të larta.”, - u shpreh një shitës.

Zbatimin e masës po e kontrollon Inspektorati Shtetëror i Tregut, i cili ka njoftuar se për 10 ditë ka kryer rreth 550 kontrolle nga 550 kontrollorë, ku janë lëshuar mbi 32 urdhër-pagesa dhe janë shqiptuar dënime në vlerë prej mbi 6 milion denarësh. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)