Maqedoni

Vijon greva e Administratës Gjyqësore, kërkohet rritje e pagave për 78%

04.10.2023 15:55

Të punësuarit në Administratën Gjyqësore vazhduan grevën...

Të punësuarit në Administratën Gjyqësore vazhduan grevën. Sindikata e punonjësve administratorë dhe  gjyqësorë e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së RMV-së për formimin e grupit të punës, për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre, por thonë se negociatat nuk duhet të shtyhen. Ata  presin që grupi punues të fillojë punën për shtatë ditë dhe se në mbledhjen e parë do të kërkojnë përcaktimin e afateve, pra që grupi punues të përfundojë punën për dhjetë ditë.
 
“Në takimin e parë do të kërkojmë definimin e afatit. Grupi i punës të kryejë punën për dhjetë ditë. Nëse nuk merremi vesh dhe nuk pranohen kushtet tona, greva do të vazhdojë në mënyrë më rigoroze dhe nuk do të punohen detyrat e punës në Prokurori. Nëse nuk arrijmë marrëveshje në grevë, do të kyçen edhe kolegët nga gjyqet dhe Prokuroria, të cilët nuk do t’i kryejnë detyrat e punës.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së Punonjësve të  Gjyqësisë, Tërpe Deanovski. 
 
Grupi i punës për shqyrtimin e kërkesave: Afat 10 ditorë për shqyrtimin e kushteve
 
Edhe nga Sindikata e Prokurorisë nuk do të tërhiqen nga kërkesa për rritjen e pagës për 78 për qind dhe shtesave në rrogë. 
 
“Nëse mendojnë se do të bëjmë pazar për pesë apo dhjetë për qind, aspak nuk do t’ia fillojmë. Kërkesa jonë është rritje e pagave prej 78 për qind dhe 35 për qind shtesa në rrogë. Këtë kërkesë ta kuptojnë seriozisht, sepse nuk do të lëshojmë pe dhe të mos gënjehen të humbin kohë pa nevojë.”, - theksoi kryetarja e Sindikatës së Punëtorëve të Prokurorisë, Izabella Ilieva.
 
Nga Sindikata e Prokurorisë kërkojnë nga ministri i Drejtësisë që të miratohet Ligji për shërbimin e Prokurorisë, në kuadër të të cilit përfshihet rregullimi i lartësisë së pagave.  
 
FLUTURA LATIFI