Maqedoni
Propozim ligji për Amnisti, Aggeler: Nuk është ligji i parë, as i fundit
04.10.2023 17:11
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, tha se po vëzhgojnë...

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, tha se po vëzhgojnë nga afër procesin mbi Ligjin për Amnisti. Ajo tha se ky nuk është as ligji i parë e as i fundit mbi amnistinë dhe se liderët politikë duhet të jenë transparent dhe t’u tregojnë qytetarëve se pse kjo është me rëndësi për ta.
“E di që propozim-ligji është në Kuvend. Më duhet ta pranoj, nuk kam shkuar në zyrë sot, nuk i di ngjarjet e fundit. Gjëja më e rëndësishme për Ambasadën e ShBA-së është që të sigurohemi që ky proces të kalojë në një mënyrë që është ligjore, transparente dhe që qytetarët e këtij vendi të kuptojnë se çfarë po ndodh dhe se pse po ndodh dhe që liderët e tyre të zgjedhur t’u tregojnë se pse kjo është me rëndësi për ta. Patjetër, ky nuk është ligji i parë për amnisti dhe nuk do të jetë i fundit, por ne do ta vëzhgojmë nga afër.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së në RMV, Angela Aggeler.
LSDM: Po shqyrtojmë ligjin, VMRO-DPMNE: Do ta bllokojmë ligjin
Nga partia në pushtet, LSDM-ja, akoma nuk ka qëndrim të qartë rreth propozim-ligjit për amnisti dhe nëse do ta mbështesin atë apo jo. Nga kjo parti theksojnë se po e shqyrtojnë ligjin.
“Ne jemi duke e shqyrtuar atë që është shkruar në këtë propozim-ligj. E dini se ligji është shkruar në bazë të veprave dhe jo personave, por gjithsesi për shkak të ndjeshmërisë së kësaj teme, ne do të kërkojmë informata plotësuese të shohim se kush do të përfshihet me këtë propozim-ligj. Nga informacionet e fituara do të sjellim vendim, por mos harroni se LSDM-ja është parti demokratike dhe gjithsesi do t’i respektojë ato të drejta të deputetëve në Kushtetutë dhe do të lejojë që secili sipas bindjes së vet të sjellë vendimin.”, - deklaroi Daniella Nikollova nga LSDM-ja.
Nga VMRO-DPMNE-ja vlerësojnë se pas këtij ligji fshihet lirimi i kriminelëve, për shkak të zgjedhjeve që pasojnë. Edhe një herë porositën se do ta bllokojnë këtë ligj.
“Ai propozim-ligj i pushtetit aspak nuk e ka dimensionin human me të cilin pushteti mundohet ta mbulojë. Çdo vit avokati i popullit tregon raporte të njëjta për jetën johumane brenda dhe për gjendjen atje. Gjithmonë kur janë afër zgjedhjet, atëherë LSDM-së i kujtohet amnistimi. Qytetarët këtë shumë qartë e shohin, ky është edhe një manipulim i Qeverisë edhe një përzierje e pushtetit ekzekutiv në atë ligjvënës dhe VMRO-DPMNE-ja qartë porositi se ajo nuk do të kalojë dhe do të bllokohet.”, - theksoi Naum Stoilkov nga VMRO-DPMNE-ja.
Ligji për Amnisti u propozua nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, prej ku pritet të lirohen 286 të burgosur, ndërsa për 996 të tjerë do të zvogëlohet dënimi për 30%.
FLORIJE KAMBERI
