Maqedoni
“Elem Turs” hap kompani të re, të punësuarit nuk duan ndryshimin e kontratës
05.10.2023 14:57
Mbyllja e “Elem Tursit” ka nxjerrë në rrugë punëtorët të cilët kanë protestuar duke...

Mbyllja e “Elem Tursit” ka nxjerrë në rrugë punëtorët të cilët kanë protestuar duke mos pranuar largimin nga puna. Mbi 25 punëtorë të Kodrës së Diellit ankohen se me mbylljen e “Elem Tursit” dhe formimin e shoqërisë së re, punëtorët detyrohen të japin dorëheqje nga vendi i tyre i punës dhe të aplikojnë në firmën e re, por me kontrata tre mujore edhe pse në Kodër të Diellit, punojnë më shumë se tre dekada me vendim pune.
“Udhëheqësi i firmës ka kërkuar nga ne që të deponojnë dorëheqjen nga vendimet e përhershme dhe të na jepet kontratë për tre muaj. Ne nuk pajtohemi me këtë vendim, sepse mendojmë se është e padrejtë dhe mbesim në rrugë një numër i madh i punëtorëve për mbi 25.”, - theksoi një punëtor.
“Na dhanë një sqarim të thjeshtë se firma mbyllet shkaku i rentabilitetit, por ky nuk është problemi jonë. Dhe na thanë që të konkurrojmë në firmë të re, ku nuk do të kemi vendime pune, por kontrata tre mujore. Askush nuk pajtohet me këtë.”, - u shpreh një punëtor tjetër.
Nga “Elem Turs” theksuan se nuk bëhet fjalë për largime nga puna, por se të njëjtët do të pajisen me vendime të përhershme pune, mirëpo pas përfundimit të kontratave në dhjetor të këtij viti dhe kërkuan mirëkuptim nga punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.
“Kjo gjë ndodh shkaku i hapjes së kompanive të reja, me qëllim që kompanitë e reja të jenë pa borxhe, ashtu siç e kërkon investitori i huaj. Të punësuarit është dashur të konkurrojnë dhe të pranohen madje me rroga edhe më të larta, por të njëjtën gjë, një pjesë e tyre nuk e kanë bërë. Nuk është e vërtetë se këta punëtorë do të mbesin me kontrata. Por, të njëjtët do të kalojnë me vendime në kohë të pacaktuar, pas skadimit të kontratave, njëjtë siç u realizua procedura edhe me ndërmarrjen e re të krijuar për Molika Manastir.”, - thuhet në komunikatën me shkrim nga “Elem Turs”.
Ndërsa, sipas burimeve tona të Qeverisë, kompania italiane e interesuar për blerjen e Kodrës së Diellit, ka harmonizuar kontratën dhe pritet që së shpejti të finalizohet marrëveshja, por që një gjë e tillë të ndodhë, ajo ka kërkuar që ndërmarrja që do ta marrë të jetë me borxh zero.
VISAR SADIKI
