Botë

Samiti i Komitetit Politik Evropian në Spanjë, Osmani refuzon ta takojë presidentin serb, Vuçiq

05.10.2023 15:23

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, refuzon ta takojë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, refuzon ta takojë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pa u vendosur fillimisht sanksione ndaj Serbisë. Kështu është shprehur presidentja Osmani para mediave, në hapje të samitit të Komitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës.  
 
“Mënyra e vetme për ta tejkaluar këtë është të imponohen sanksionet kundër Serbisë dhe masa të ashpra kundër Serbisë, ndryshe nëse situata vazhdon siç është duke vazhduar tani, atëherë duhet të flasim për çështje teknike dhe të harrojmë faktin se ka pasur një akt agresioni të organizuar nga Serbia të realizuar nga grupet terroriste që kanë qenë të armatosur nga udhëheqja e Serbisë. Këtu duhet të ndalohet Vuçiqi që të mos bëjë akte të tilla. Natyrisht kërcënimi nuk ishte vetëm kundër Kosovës, por kundër tërë Ballkanit Perëndimor dhe tërë Evropës.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Ajo njëherit i ka bërë thirrje Spanjës që të rreshtohet krah vendeve evropiane që kanë dënuar sulmin terrorist në Kosovë, sepse mbështetja e një agresori, duke iu referuar Serbisë, nuk e ndihmon paqen dhe stabilitetin në Evropë. 
 
GYLTENE SINANI