Konferenca rajonale “Fuqia e zgjedhjes”, Zonja e parë e shtetit: Autonomia e trupit, e drejtë themelore e njeriut
Fuqizimi i zërit të atyre që gjatë kohë kanë qenë të margjinalizuara....

Fuqizimi i zërit të atyre që gjatë kohë kanë qenë të margjinalizuara dhe inkurajimi i dialogut në këtë drejtim ishte fokusi i konferencës rajonale “Fuqia e zgjedhjes”, e cila është organizuar me iniciativë të zonjës së parë të shtetit.
Shumë gra dhe vajza anembanë botës nuk e kanë të drejtën themelore të njeriut për të marrë vendim për trupin e tyre, theksoi znj. Elizabeta Gjorgievska.
“Përmes këtij takimi ne synojmë të inkurajojmë dialogun dhe të përforcojmë zërat e atyre që prej kohësh janë margjinalizuar. Ne jemi këtu të dëgjojmë, të mësojmë dhe të hapim një rrugë para që do të respektojë dhe mbështesë autonominë, dinjitetin dhe të drejtat e grave dhe vajzave.”, - deklaroi bashkëshortja e presidentit Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska.
Ministrja Trençevska me këtë rast tha se Qeveria ka ndryshuar Ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, duke i mundësuar gruas që të vendos personalisht për trupin e saj.
“Më vjen keq që duhet të përmendim një të drejtë të tillë themelore të njeriut si sukses, më vjen keq që nevojitet një ndryshim ligjor për t’i garantuar një gruaje se ajo ka të drejtë dhe se ajo meriton të vendosë vetë. Mirëpo, me një lidership që punon për ndryshime që garantojnë jetë të lirë në vend, nuk kam frikë nga çështja e zbatimit të mundësive të barabarta, si për femrat, ashtu edhe për meshkujt.”, - theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.
Analizat e ekspertëve tregojnë se shtatzënitë në adoleshencë dhe martesat e të miturave janë sfidë më të cilën po përballen shumë gra dhe vajza sot.
“Vajzat dhe gratë nuk janë të kyçura në ekonomi dhe shoqëri dhe nuk mund ta përmbushin potencialin ose të realizojnë aspiratat dhe mirëqenien e tyre, në kuadër të familjeve të tyre, shoqërisë, komuniteteve. Dhe kjo është plotësisht e papranueshme. Duhet të vendosim fund në këtë dhe kjo mund të ndodh vetëm nëse kontribuojmë të gjithë së bashku.”, - u shpreh koordinatorja e KB- së, Rosana Dugjak.
Në konferencën rajonale “Fuqia e zgjedhjes”, zonja e parë e vendit në një vend mblodhi gratë e gjashtë presidentëve nga rajoni dhe përfaqësues të trupit të Kombeve të Bashkuara. Njëzëri theksuan se duhet punuar për ndryshime të rëndësishme. (Leunora Kaliqi, TVM2)
