Bojkoti i nxënësve të Idrizovës, Shaqiri: Prindërit ta ndërpresin bojkotin
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri....

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, edhe njëherë i ka bërë thirrje prindërve të nxënësve të Idrizovës që ta ndërpresin bojkotin, sepse ky vendim sipas tyre po shkon në dëm të fëmijëve, të cilët po shpenzojnë kohë të artë duke qëndruar në shtëpi, por diskutimet me të si ministër, prindërit mund t’i bëjnë në çdo kohë dhe se ai do të përkrahë çfarëdolloj zgjidhjeje që do të arrijnë prindërit me Komunën e Gazi Babës, si përgjegjëse për menaxhimin e shkollave fillore.
“Unë u bëj apel të gjithë prindërve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike dhe kombëtare, që bojkotin ose revoltin e tyre për cilëndo kërkesë mos ta sjellin në dëm të fëmijëve. Pra, fëmijët ta zhvillojnë mësimin, ndërsa prindërit janë çdoherë të mirëseardhur në kabinetin tim. Por, për momentin kur po flasim nuk po shoh arsye të qëndrueshme që të protestohet, por këtu i bëj thirrje edhe komunës që të ulet me Këshillin e Prindërve dhe të diskutojnë, sepse së fundmi komunat janë përgjegjës për menaxhimin e shkollave fillore.”, - deklaroi ministri i MASh-it, Jeton Shaqiri.
Ministri Shaqiri po ashtu pohoi se nga shkollat do të kërkojë edhe dokument zyrtar, me të cilën do të tregohet se këto fëmijë sa ditë kanë munguar dhe si të kompensohet kjo periudhë.
Nga 1 shtatori të gjitha librat të cilat janë miratuar nga ana e Komisionit Nacional janë lëshuar deri tek nxënësit, ndërsa të gjitha librat tjera, të cilat janë miratuar, sipas tij me vonesë, nga ana e Komisionit Nacional, do të lëshohet pak me vonesë dhe se të njëjtat janë duke u shtypur, sidomos librat për klasën e gjashtë dhe këto libra, siç po shtypen, ashtu edhe po shpërndahen. (Fitim Kryeziu, TVM2)
