Dita botërore e mësuesit, arsimi kërkon investim të vazhdueshëm
Edhe sivjet njëjtë si edhe vitin e kaluar....

Edhe sivjet njëjtë si edhe vitin e kaluar, sfidat kryesore me te cilat ballafaqohen mësimdhënësit ngelen të njëjta.
Ndryshimi i planprogrameve, tekstet shkollore, infrastruktura, si dhe investimi i vazhdueshëm në arsim, për profesorin, Naser Miftari, janë problemet kryesore që i hasin mësimdhënësit gjatë punës së tyre.
Ai thotë se arsimi është profesion me përgjegjësi më të madhe në shoqëri dhe është materie e gjallë që kërkon investim të vazhdueshëm.
“E para punë që duhet bërë është ndryshimi i plan-programeve, sepse ende bartin një vjetërsi, ende janë të pluhurosur nga ajo e kaluar, ndërsa bota ecë me një shpejtësi tejet të madhe dhe sikur më duket që mbetemi mbrapa. Mendoj se e gjithë infrastruktura që i përket një shkolle apo procesit edukativo-arsimor duhet gjithnjë të jetë e rifreskuar dhe rinovuar konform asaj që kërkon koha. Mësimdhënësit duhet të marrin përgjegjësinë për atë që janë të thirrur, ndërsa institucionet të bëjnë trajnime të reja, ta mbajnë gjithmonë në nivelin e duhur mësimdhënësin, jo u diplomova dhe tani ka mbaruar gjithçka.”, - theksoi profesori, Naser Miftari.
Mësimdhënësit gjithashtu thonë se mungon edukimi i nxënësve rreth përdorimit të teknologjisë, sepse interneti i çon nxënësit drejt shumë problemeve.
“Teknologjia i çon nxënësit drejt shumë problemeve dhe ne duhet t’i mësojmë se si duhet të mbrohen ata nga interneti, të mbrohen nga dezinformatat. Mbi të gjitha duhet të ruajmë mënyrën e shkrim-leximit, fjalën e lexuar, fjalën e shkruar, të fokusohemi më shumë tek leximi dhe shkrimi, sepse është mjeti kryesor i çdo nxënësi.”, - u shpreh arsimtarja Vesna Boshkovska.
Edhe pse ka rritje prej 15 për qind të rrogave, punonjësit arsimor thonë se mungon motivimi financiar i mësimdhënësve. Të vetëdijshëm se kjo nuk duhet të ndikojë në punën e tyre me nxënësit, sepse të drejtat i kërkojmë përmes Sindikatës, por është çështje me të cilën ata ballafaqohen çdo vit. (Sanije Duraku, TVM2)
