Sulme ruse në Ukrainë, u shkatërrua infrastruktura në Kirovo-hrad
Rusia vazhdon të sulmojë qytetet ukrainase....

Rusia vazhdon të sulmojë qytetet ukrainase. Disa dronë goditën objekte të infrastrukturës në rajonin Kirovo-hrad, njoftojnë autoritetet ukrainase. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, por vetëm dëme te mëdha materiale. Gjithashtu u tha se armiku vazhdon me përpjekjet për të shkatërruar portin dhe infrastrukturën tjetër në jug.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se kanë shkatërruar 24 nga 29 dronë të nisur nga Rusia gjatë natës, dhjetë dronë u shkatërruan mbi rajonin e Mykolaiv, nëntë mbi Kirovohrad dhe pesë mbi Odesa.
Zelensky: Jemi mbrojtës të paqes për Evropën
Sipas presidentit, Volodymir Zelensky, sfida e Ukrainës është për të ruajtur stabilitetin e të gjithë Evropës.
“Sfida kryesore është ajo që kemi, është të ruajmë unitetin në Evropë. Dhe nuk po flas vetëm për vendet në BE, por në të gjithë Evropën. Lufta jonë është për të mbrojtur stabilitetin e të gjithë Evropës. Sfida më e madhe që kemi nga Rusia është sulmi me informacione, dezinformata, falsifikime etj. Dhe kjo është e para. E dyta kaq e rëndësishme për Ukrainën është që të kemi mburojë mbrojtëse për dimër, sepse në dimër do të kemi shumë sulme nga lloje të ndryshme raketash ruse, duke përfshirë dronët iranianë.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Biden: ShBA-ja do ta mbështesë me fonde Ukrainën
Ndërkohë presidenti i ShBA-së, Joe Biden, tha se do të kërkojë vazhdimësinë e financimit për Ukrainën, pasi sipas tij, suksesi i Ukrainës në këtë luftë është për të mirën e ShBA-së dhe jo vetëm të Evropës.
“Unë do të argumentoj se është jashtëzakonisht në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Ukraina të ketë sukses. Kam kaluar dy vite e gjysmë duke krijuar koalicione që askush nuk mendonte se mund të bashkoheshin. Mund ta mbështesim Ukrainën në pjesën e ardhshme të ndihmave që na nevojiten. Ekziston edhe mënyrë tjetër me të cilën mund të sigurojmë fondet për këtë. Por, nuk do veproj kështu tani.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Joe Biden.
Që nga fillimi i luftës, administrata e presidentit Biden dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara kanë miratuar mbi 75 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, ku përfshihet mbështetje humanitare, financiare dhe ushtarake, sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, një institut gjerman i politikave. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
