Shefi i SHM të ARM-së për vizitë zyrtare tek forcat e armatosura të Spanjës
Një delegacion i ARM-së, i udhëhequr nga shefi i Shtatmadhorisë së ARM-së gjeneral-nënkoloneli Goranço Koteski, prej sot qëndron për vizitë dyditore zyrtare të forcave të armatosura (FA) të Mbretërisë së Spanjës...

Siç kumtoi MM-ja, shefi i SHM të ARM-së, Koteski sot në Madrid u prit me nderime të larta ushtarake nga ana e shefit të SHM të FA të Mbretërisë së Spanjës, gjeneral admirali Fernando Garsia Sançez.
Ndryshe, kjo është vizita e parë zyrtare e FA të Mbretërisë së Spanjës nga ana e shefit të SHM të ARM-së, ku krahas përparimit të bashkëpunimit bilateral ushtarak, u bisedua edhe për përvojat e dy armatave nga pjesëmarrja në misionet e udhëhequra nga NATO dhe BE dhe transformimi.
Në takim, thuhet në kumtesë, u bë fjalë edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit ushtarak dhe përdorimit të shërbimeve të qendrave për trajnim të FA të Spanjës për nevojat e ARM-së.
Gjenerali Koteski ka theksuar bashkëpunimin me FA të Spanjës si jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e integrimit euro-atlantik të Republikës së Maqedonisë, me ç’rast si forma të mundshme për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, e theksoi mundësinë e përdorimit të Poligonit ushtarak "Krivollak", organizimin e stërvitjeve të përbashkëta, si dhe bashkëpunimin dhe këmbimin e përvojave në sferën e planifikimit ushtarak dhe trajnimit për ballafaqim me mjete të improvizuara shpërthyese.
Gjatë kohës së qëndrimit në Madrid, gjenerali Koteski do t'i vizitojë qendrat e NATO-së për stërvitje për ballafaqim me mjete të improvizuara shpërthyese dhe për udhëheqjen e operacioneve ajrore, ndërsa do të ketë edhe mundësi që të njoftohet me kapacitetet, misionin dhe detyrat e brigadës së parashutistëve të FA të Spanjës.
Bashkëpunimi bilateral në fushën e mbrojtjes me Mbretërinë e Spanjës zyrtarisht është vendosur në tetor të vitit 2009, me nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim mes ministrive të mbrojtjes. Gjatë tre viteve të kaluara, bashkëpunimi i ARM-së me FA të Mbretërisë së Spanjës zhvillohet në disa fusha, siç janë: arsimimi ushtarak, trajnimi gjuhësor, trajnimi i specialiteteve kyçe para shkuarjes në misione dhe trajnim për kontroll të mjeteve radionaviguese ajrore.
