Botë
Procesi i Berlinit, ministrat e Punëve të Jashtme mblidhen në Tiranë
06.10.2023 14:24
Ministrat e Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit mblidhen sot në Tiranë...

Ministrat e Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit mblidhen sot në Tiranë, disa ditë para mbajtjes së samitit, që pritet të ketë lajme të mira për rajonin e Ballkanit. Takimi mbledh bashkë ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, shteteve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, përfaqësuesit e BE-së, si dhe organizatat rajonale.
Takimi do të drejtohet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ministri Igli Hasani, vendi që mirëpret Samitin e Procesit të Berlinit.
Në fokus të takimit do të jenë forcimi i dimensionit rajonal në Procesin e Berlinit dhe rëndësia e veçantë e këtij procesi për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Një fokus tjetër pritet të jetë përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër liritë themelore, Agjenda e Gjelbër, ajo Digjitale dhe përafrimi me Tregun Unik të BE-së.
