Botë

Ristuccia, KFOR ka rritur prezencën në veri

06.10.2023 15:18

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, vlerëson se situata në veri të Kosovës...

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, vlerëson se situata në veri të Kosovës është e ndjeshme dhe se po punohet që të moseskalojë. Ai njëherit theksoi se KFOR-i do të shtojë edhe më shumë trupa në veri, që do të vijnë nga Britania, Rumania dh Gjermania.
 
Sa I përket sulmit të 24 shtatorit komandanti në largim i KFOR-it tha se po punohet që të konfirmohet se çfarë mjete janë përdorur gjatë sulmit, dhe se për këtë çështje i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme.
 
“KFOR ka rritur prezencën në veri dhe në vazhdim do të ketë edhe me shumë shtim trupash. Britania po shton trupa dhe trupat do të shtohen edhe nga vendet e tjera, përfshirë Rumaninë. Për 24 shtatorin, jemi ende duke punuar që ta kuptojmë se çfarë mjetesh janë përdorur. Hetimet po vazhdojnë. Ne si KFOR kemi marrë të gjitha masat e nevojshme”, u shpreh komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.
 
Komandanti Ristuccia ka rikujtuar se KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e zonës kufitare të Kosovës me Serbinë dhe ka forca të angazhuar përreth saj, mirëpo që tereni problematik – kryesisht malor – lë hapësirë për qarkullime të shumëfishta.I pyetur se si ka arritur të hyjë në Kosovë gjithë sasia e armatimit që është konfiskuar nga Policia e Kosovës, komandanti i KFOR-it ka thënë se ende janë duke u bërë hetime, mirëpo marrë parasysh sasinë dhe llojin, dihet që qëllimi i sulmit ka qenë destabilizimi.
 
Ai vlerëson se vetëm një zgjidhje politike do të mund të garantojë paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, dhe e ka përsëritur mbështetjen e KFOR-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.KFOR-i aktualisht ka rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.
 
GYLTENE SINANI