Qytetarët: Taksa preferenciale rriti çmimet

06.10.2023 17:27

Vendimi i Ministrisë së Financave..

Vendimi i Ministrisë së Financave për taksën preferenciale prej 5% për disa produkte ushqimore, ka ndikuar në rritjen e çmimeve.

Për dallim prej rasteve kur kemi vendim për uljen e çmimeve të disa produkteve dhe marketet me vonesë fillojnë t’i vendosin etiketat, qytetarët thonë se tregtarët kanë reaguar me shpejtësi, ndaj thuajse në të gjitha produktet ushqimore në markete janë vendosur çmime më të larta.

“Vetëm buka dhe sheqeri nuk janë shtrenjtuar, gjithçka tjetër ishte më shtrenjtë.”, - tha një qytetare.

Edhe sikur të kenë 1 mijë euro të ardhura për katër anëtarë nuk mjaftojnë vetëm për ushqim, aq duhen për një muaj.”, - tha një qytetare tjetër. 

Qeset i kemi bosh, nuk mundemi të blejmë gjithçka që na duhet.”, - theksoi një qytetare.

Përveç produkteve luksoze, qytetarët thonë se janë rritur edhe çmimet e panxharit, majonezës, të gjitha llojet e mezeve, kompostot, ushqimet e konservuara, të gjitha llojet e turshive, makaronat dhe ushqimet për fëmijë.

Ministria e Financave: TVSh-ja nuk rritet për produktet bazë

Por, Ministria e Financave sqaron se vendimi nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve bazë.

“Produktet ushqimore bazë, të cilat janë pjesë e konsumit të përditshëm të qytetarëve, do të vazhdojnë të tatimohen me normë më të ulët të TVSh-së, përkatësisht nuk ka ndryshim të saj dhe mbetet në 5%, siç parashikon Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe më detajisht e përcaktuar me vendimin për përcaktimin e të  mirave dhe shërbimeve që janë me normë preferenciale të TVSh-së, të cilin Qeveria e miratoi më 28 shtator dhe që hyn në fuqi sot. Vendimet e miratuara nuk do të ndikojnë në rritjen e çmimit përfundimtar të produkteve ushqimore bazë. Vendimi përmban mbi 1,600 produkte, ku me këtë vendim do të vazhdojnë edhe më tutje të tatimohen me normën tatimore më të ulët prej 5%.”.      

Në listën e produkteve që do të tatimohen me normën preferenciale prej 10% përfshihen produktet që nuk paraqesin produkte të ushqimit bazë, përkatësisht kanë karakteristikën e produkteve që nuk janë pjesë e konsumit të përditshme dhe që nuk rekomandohen për shëndetin e njeriut, thonë nga Ministria e Financave.

Bytyqi: Mund të rishikohet edhe vendimi

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se disa nga këto çmime do të duhet të rishikohen dhe thekson se nëse ka lëshime, ato do të zgjidhen në seancën e ardhshme të Qeverisë.

“Çdo reagim i qytetarëve për ndonjë produkt të caktuar, sepse  reagime që I shohë nga dita e djeshme, janë për dhjetë produkte, ndërsa me vendim janë të përfshira 200 grupe të produkteve. Vlerësoj se për 10 vendime nuk ka asnjë problem të bëjmë ndryshimin e vendimit.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Ministria e Ekonomisë: Çmimet e produkteve bazë nuk do të rriten

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse çmimet e produkteve bazë nuk do të rriten.

“Ministria e Ekonomisë qëndron plotësisht prapa vendimit për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, të cilin e morëm dy javë më parë. Të paktën deri më 30 nëntor, kur ky vendim është i vlefshëm, nuk do të ketë asnjë devijim prej tij. Të gjitha produktet që përfshihen në vendimin për uljen e çmimeve të Ministrisë së Ekonomisë do të mbeten me normë tatimore prej 5%.”, ka shkruar ministri, Bekteshi, në profilin e tij në Facebook. (Sanije Duraku, TVM2)