Procesi i Berlinit, ministrat e Punëve të Jashtme mblidhen në Tiranë

06.10.2023 17:37

Ndonëse në fokus ministeriali i ministrave të Jashtëm...

Ndonëse në fokus ministeriali i ministrave të Jashtëm, që u mbajt në Tiranë, kishte në fokus Samitin e Procesit të Berlinit, çështja e tensioneve në Veri të Kosovës ka marrë vëmendje e reagime të shumta.

Që në mbërritje, ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbock, u tregua e ashpër kur tha se këto tensione mund të rrezikojnë procesin e Berlinit.

Ndërsa, më vonë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, refuzoi të bëhej pjesë e fotos familjare, për shkak se në sfond mes shumë flamujve, ishte edhe ai i Kosovës.

Në konferencën përmbyllëse për mediat, ministrja e Jashtme Baerbock; ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhei, kërkuan hetim serioz për sulmin e 24 shtatorit, bashkëpunimin e Serbisë në këtë çështje, si dhe dialog, si e vetmja mënyrë për ta çtensionuar plotësisht situatën.

Pas ministerialit, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me ministren e Jashtme gjermane dhe takime dypalëshe janë parashikuar edhe mes liderëve të tjerë.

Ministeriali i ministrave të Jashtëm ku mori pjesë edhe ai i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i paraprin Samitit të procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor. Në fokus të tij do të jetë bashkëpunimi rajonal, sidomos në fushën e investimeve dhe energjisë së rinovueshme. (Luljeta Ndoka, TVM2)