Ukrainë, sërish viktima dhe civilë të lënduar

06.10.2023 20:02

Sërish viktima dhe të lënduar nga sulmet ruse.....

Sërish viktima dhe të lënduar nga sulmet ruse në Harkov të Ukrainës. Njoftohet për të paktën dy të vrarë dhe mbi 30 janë lënduar.

“Armiku ka kryer dy sulme raketore ndaj qendrës së qytetit në Harkov. Njëra nga raketat ka shkatërruar dy banesa. U godit në mënyrë direkte një ndërtesë trekatëshe.”, - tha një  shpëtimtarë.

Sulmet e sotme vijnë pas atyre të një dite më parë në Kupijansk ku humbën jetën 51 civilë. Familjarët, deri sa po identifikonin trupat, flasin të tmerruar për jetët e humbura.

“Shumë njerëz vdiqën. Vëllai im, reja ime, nëna ime.”, - u shpreh një qytetar.

“Ma gjetën dhëndrin, por jo edhe vajzën time. E tmerrshme. Dëgjuam shpërthim dhe nipi im vrapoi, tha nuk ka asnjë të gjallë.”, - tha një qytetar tjetër.

Pas sulmeve të fundit ruse kanë reaguar Kombet e Bashkuara dhe ShBA-ja.

“Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë të ndaluara sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, dhe kjo patjetër menjëherë të përfundojë.”, - deklaroi zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stefan Duzharik.

“Patjetër të vazhdojmë ta përkrahim popullin e Ukrainës. Së shpejti do të dërgojmë edhe një pako ndihmash që përfshinë armë dhe pajisje. Do të vazhdojmë ta bëjmë atë që t’i plotësojmë nevojat në fushën ushtarake.”, - theksoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Karin Zhan Pjer.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit rus, Vyacheslav Volodin, ka thënë se ligjvënësit rusë do ta konsiderojnë revokimin e ratifikimit të Traktatit për Ndalim të Testimeve Bërthamore, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përmendur mundësinë e rikthimit të testimeve të këtilla.

Veprime kësisoj nga ana e Rusisë apo e Shteteve të Bashkuara, do të mund të jenë destabilizuese në kohën e rritjes së tensioneve mes dy vendeve.

Putin ka thënë të enjten se doktrina bërthamore e Rusisë nuk ka nevojë për përditësim dhe se nuk është gati të deklarohet nëse Rusia duhet t’i rikthejë testimet bërthamore.

Shefi i Kremlinit ka thënë se Rusia do ta shqyrtojë mundësinë e revokimit të traktit, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar.

Deklaratat e Putinit dhe Volodinit sugjerojnë se Rusia edhe mund ta revokojë ratifikimin e traktatit, i cili e ndalon shpërthimin e armëve bërthamore nga çdokush. (Fitore Demolli, TVM2)