FMN: Maqedonia shënon përparim në uljen e papunësisë

11.03.2015 13:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Maqedonia ka shënuar përparim në zvogëlimin e shkallës së papunësisë...

Në raportin "15 vjet tranzicion në Ballkanin perëndimor", FMN potencon se të rinjtë në Maqedoni dhe Serbi kanë mundësi shumë më të mëdha për të gjetur punë në krahasim me të rinjtë e vendeve të tjera të rajonit.

Zëvendëskryeministri,  Zoran Stavreski, thotë se vlerësimet e FMN-së si institucion më relevant financiar janë mirënjohje e madhe për politikat ekonomike të qeverisë.

"Ky vlerësim është udhërrëfyes  se politikat  për përmirësim të konkurrencës  së ekonomisë, për përforcim të klimës së biznesit,  për përmirësim të kushteve për udhëheqje të biznesit dhe investimet në arsim dhe infrastrukturë janë mënyrë e drejtë që të ballafaqohemi me sfidat e së sotmes”- deklaroi zëvendëskryeministri, Zoran Stavreski.

Në raportin e FMN-së janë analizuar edhe Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina , Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi. Në raport ceket se ekonomitë e atyre vendeve ngelen prapa në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste të cilat kaluan nëpër një tranzicion të tillë politik dhe ekonomik.

FMN-ja shton se Ballkani perëndimor është shndërruar në destinacion eksportues, e ka zgjeruar rolin e sektorit privat dhe i ka zhvilluar sistemet bankare, por në vitin 2000 të gjitha këto vende sikur u lodhën nga reformat. Në 2008 këto vende u goditën nga kriza ekonomike.

Për t'u tejkaluar ajo situatë, FMN-ja propozon stabilitet makroekonomik të garantuar dhe reforma të thella strukturore. Shtetet ballkanike duhet të luftojnë me deficitet buxhetore, t'i japin impuls eksportit, të ulin deficitin tregtar, të privatizojnë ndërmarrjet shtetërore dhe ta përmirësojnë tregun e punës, shtohet në raportin e FMN-së.

ERSAN PAJAZITI