Botë

Hamasi sulmon Izraelin, 40 të vrarë, qindra të plagosur

07.10.2023 16:28

Grupi militant Hamas ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit...

Grupi militant Hamas ka sulmuar Izraelin me breshëri raketa nga Gaza, ku sipas shërbimit kombëtar të shpëtimit izraelit, të vrarë kanë mbetur së paku 40 persona dhe qindra të tjerë janë plagosur. Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës, ku si pasojë, vdekjen e kanë gjetur 200 persona dhe 2000 të tjerë janë plagosur, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, pa dhënë detaje nëse kanë qenë civilë apo militantë.  

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu, gjatë një adresimi televiziv ka thënë se Izraeli është në luftë. Ndërkohë, autoritetet e vendit kanë lëshuar alarme për sulme ajrore mbi mbarë vendin. 
 
“Jemi në luftë. Në luftë duhet të ruani qetësinë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Izraelit të bashkohen për të arritur qëllimin tonë më të lartë -fitoren në luftë. Qëllimi ynë i parë është pastrimi i zonës nga forcat armike dhe rivendosja e sigurisë dhe paqes. Qëllimi i dytë është të kërkojmë një çmim të madh  nga armiku edhe në Rripin e Gazës. Synimi i tretë është që të forcohen arena të tjera në mënyrë që askush të mos gabojë t'i bashkohet kësaj lufte.”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Sulmi i së shtunës vjen në 50 -vjetorin e Luftës së vitit 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në ditën e shenjtë të kalendarit hebraik. 
 
Sulmi është dënuar nga liderë të shumtë botëror të cilët kërkojnë ndërprerjen urgjente të dhunës ndërkaq, pritet një bisedë mes kryetarit të SHBA-ve Bajden dhe kryeministrit izraelit Netanjahu.
 
Shefi i diplomacisë Bujar Osmani dënon sulmin. “Solidarizohemi me Izraelin. Këto akte terroresh duhet urgjent të ndërpriten.”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X. 
 
Sipas informacioneve të ambasadës sonë në Tel Aviv, 7 shtetas nga vendi ynë gjenden në pjesën perëndimore të Izraelit, të cilët janë të sigurtë.  
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU