Botë

Vuçiç: Radojçiç, bashkëpunëtor i afërt

07.10.2023 16:51

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi për Sky Neës se Millan Radojçiç...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi për Sky Neës se Millan Radojçiç nuk është mik i tij, por bashkëpunëtor i afërt, për shkak se ai ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
 
“Ai akuzohet për një krim të madh dhe serioz”, theksoi Vuçiç sipas Radios Evropa e Lirë.
 
Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit. Gjatë këtij sulmi u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
 
Pasi zunë në prit një patrullë policore , sulmuesit u strehuan në manastirin e Banjskës dhe vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.
 
Bashkimi Evropian e ka cilësuar si akt terrorist, ndërkaq Serbia mohon çdo përfshirje në sulmin, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Radojçiç.
 
Duke folur për situatën në Kosovë, Vuçiç tha se ai nuk mund t’i quajë sulmuesit terroristë, edhe pse tha se dënon vrasjen e policit kosovar.