Botë

Afganistan, tërmet me pasoja fatale

07.10.2023 17:10

Një tërmet prej 6.3 shkallësh të Rihterit ka goditur perëndimin e Afganistanit...

Një tërmet prej 6.3 shkallësh të Rihterit ka goditur perëndimin e Afganistanit, duke vrarë sëpaku 14 persona dhe plagosur 78 të tjerë, përderisa ka paralajmërime se numri i viktimave të rritet për shkak se është raportuar për rrëshqitje të dheut dhe për njerëz që kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave.
 
Drejtori i departamentit të shëndetësisë në provincën Herat, Mohammad Taleb Shahid, konfirmoi për AFP-në se 14 persona kanë vdekur dhe 78 janë plagosur, duke shprehur frikën se numri i viktimave mund të rriten.
 
“Këta janë numrat që janë sjell në spitalin qendror deri më tani, por nuk janë shifrat finale”, tha ai. “Kemi informacione se ka njerëz të bllokuar nën rrënoja”.
 
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se epiqendra e tërmetit ishte 40 kilometra në veriperëndim të qytetit më të madh të rajonit të Heratit. Tërmeti i fuqishëm u pasua me disa pasgoditje midis 4.6 dhe 6.3 shkallësh të Rihterit.