Shqipëria nis grumbullimin

09.10.2023 12:37

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll...

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka nisur të dielën grumbullimin për ndeshjet me Çekinë dhe Bullgarinë. Ndeshja me Çekinë është të enjten prej orës 20:45 në “Air Albania” në Tiranë. Është ndeshje vendimtare për kualifikim në Euro 2024. Ndërkohë ndeshja me Bullgarinë zhvillohet më 17 tetor po ashtu në Tiranë. Është miqësore.

Të dielën kuqezinjve u janë bashkuar Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami dhe Frederic Veseli.

Të tjerët do të grumbullohen deri të hënën. Pjesë e grupit të lojtarëve në të cilët llogarit selektori Sylvinho nuk do të jetë mbrojtësi i rëndësishëm, Ardian Ismajli. “Mbrojtësi Ardian Ismajli është paraqitur në grumbullim dhe i është nënshtruar kontrollit nga stafi mjekësor kuqezi. Futbollisti ka pasur një tërheqje muskulore në kofshë në ndeshjen e fundit me Empolin dhe pas testeve mjekësore dhe konsultimeve është dalë në konkluzionin se ai nuk mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Shqipërisë. Kësisoj, Ismajli është kthyer në Itali pranë klubit dhe pas disa ditëve pushim do të nisë rikuperimin gradual për t’u rikthyer gradualisht në fushë“, ka njoftuar FSHF-ja.

Ismajli është startues i rregullt te kuqezinjtë dhe do të jetë mungesë e madhe për ndeshjen ndaj Çekisë. Sot pasdite, Shqipëria zhvillon stërvitjen e kompletuar.