Eurointegrimet, Besimi: Me rëndësi të ruajmë kursin evropian

11.03.2015 14:06

Situata në Maqedoni është serioze dhe komplekse. Që Maqedonia të dalë nga kjo situatë dhe të ruaj kursin e eurointegrimeve duhet të merr parasysh të gjitha porositë që vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni...

Kështu vlerëson zëvendëskryeministri për çështje eurointegruese, Fatmir Besimi. Në situata të tilla komplekse, sipas Besimit, është e rëndësishme që Maqedonia të mos devijojë nga drejtimi eurointegrues.

“Në situata komplekse, ne duhet të mbajmë drejtimin apo orientimin drejt qëllimit tonë kryesor. Në rastin konkret, qëllimi ynë kryesor është Bashkimi Evropian. Gjendja kërkon, sipas mendimit tim personal, kërkon një qasje tredimensionale si në aspektin politik, në aspektin juridik dhe atë ndërkombëtar, d.m.th. tre janë komponentat të cilat do të mundet që në këtë situatë Maqedoninë ta mbajnë në kursin e duhur, gjegjësisht atë të integrimeve euroatlantike”- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.

Zëvendëskryeministri për çështje eurointegruese, Besimi, thotë se akoma nuk dihet se cila do të jetë forma e ndihmës nga Brukseli zyrtar për të zgjidhur krizën politike përmes përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme, Federika Mogerinit.

“Për momentin ende nuk ka të definuar format se si dhe në çfarë mënyre BE mendon të kontribuojë drejtpërdrejtë në këtë proces, mirëpo tani për tani edhe vizita e komisarit Han në Maqedoni, paralajmërimet që bëri ai dhe format e bashkëpunimit me BE-në janë që Maqedonia duhet të mbajë këtë kurs dhe nuk duhet devijuar nga prioriteti ynë kryesor, e ai është integrimi evropian”- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.

Sekretariati që udhëheq Besimi, sot nisi edhe ciklin e debateve publike me akademikë dhe sektorin civil për të përmirësuar ecurinë e këtyre proceseve. Pritet që në debatet e ardhshme të kyçen edhe përfaqësues nga sektori i biznesit, analistë, profesorë dhe politikanë. (Meral Ismaili, TVM2)