Botë
Stano: Të sqarohet plotësisht ajo që ndodhi më 24 shtator
09.10.2023 15:36
Bashkimi Evropian i kërkon Serbisë të mos fshihet pas formaliteteve që lidhen me statusin e Kosovës...

Bashkimi Evropian i kërkon Serbisë të mos fshihet pas formaliteteve që lidhen me statusin e Kosovës, të hetojë sulmet e 24 shtatorit. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se pritjet e BE-së nga Serbia nuk janë vetëm për bashkëpunim të plotë, por edhe bashkëpunim të pakushtëzuar.
“Nëse ka vullnet, ekzistojnë edhe mënyrat. Askush nuk ka nevojë të fshihet pas formaliteteve të njohjes. Ka mjaft mënyra se si mund të ndani dëshmitë, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni në hetimin e plotë, sepse kjo që ka ndodhur me 24 shtator është shumë e rëndë dhe duhet sqaruar plotësisht, sepse do të ketë pasoja.”, - deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Për Bashkimin Evropian, ka theksuar Stano, është me rëndësi që hetimet të përfundojnë sa më shpejtë në mënyrë që të krijohet pasqyra e qartë se çfarë ndodhi më 24 shtator, përse ndodhi, kush mori pjesë apo kush e orkestroi sulmin. Bazuar në gjetjet e hetimeve, Bashkimi Evropian do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në qasjen e Brukselit ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, por edhe ndaj rajonit e dialogut, ka thënë zëdhënësi, Stano.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për gazetën malazeze “Pobjeda”, duke folur rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit, ka deklaruar se Serbia dëshiron statusin e “Rusisë së vogël” në Ballkan, ku entiteti i Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë do të bëhet “Bjellorusia e vogël”. Milan Radojiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe, e cila është krijuar, ndihmuar dhe mbështetur nga Qeveria e Serbisë. Kurti, sulmin terrorist e ka quajtur skenar për gjakderdhje në Kosovë. Derisa arrestimin e pastaj lirimin e Milan Radoiçiqin e ka krahasuar me marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë.
GYLTENE SINANI
