Rusia akuzon BE-në, Lavrov: Burokratët e Brukselit nxisin tensione

11.03.2015 14:08

Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, akuzon presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe burokratët e Brukselit, siç i quajti ai, për nxitjen e tensioneve mes bllokut dhe Moskës....

Disa prej anëtarëve të BE-së dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me Kremlinin, por ka njerëz që nuk e duan një gjë të tillë, deklaroi Lavrov, duke ironizuar komentet e Tusk, që sipas kryediplomatit rus, ka kërkuar ndjesë për faktin që BE-ja nuk veproi ndaj Moskës po aq shpejt sa edhe Shtetet e Bashkuara.

“Nëpër të gjithë procesin e ndërtimit të konsensusit, vetë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të përcaktojnë limitet e sjelljes së zyrtarëve që ulen në karriget e Brukselit dhe bëjnë deklarata në emër të 28 shteteve të grupit. Ajo që po ndodhë aktualisht është se burokracia e BE-së është duke e nxitur qëllimisht konfrontimin e Rusisë me bllokun”- deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.

Reagimi i tij erdhi pak pas bisedimeve të Donald Tusk me presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, të përqendruara mes të tjerash edhe tek armëpushimi i Ukrainës. Në takim, presidenti amerikan këmbënguli që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të sigurojnë një vëzhgim të efektshëm ndërkombëtar të pushimzjarrit në rajonet lindore. Ish-kryeministri polak është një prej kritikëve më të fuqishëm të rolit të Moskës në trazirat disa mujore të Ukrainës dhe këmbëngul për sanksione akoma më të ashpra mbi Rusinë.