Maqedoni
Strategjia kombëtare për zhvillim, sundimi i ligjit, kyç për funksionimin e shtetit
09.10.2023 15:55
Në kuadër të Komisionit Kuvendor për Çështje Evropiane u diskutua rreth procesit të përgatitjes...

Në kuadër të Komisionit Kuvendor për Çështje Evropiane u diskutua rreth procesit të përgatitjes së Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit si udhërrëfyes dhe vizion për 20 vitet e ardhshme, për të përfshirë pikëpamjet e ndryshme në dokumentin përfundimtar, por edhe për të siguruar vazhdimësinë në zbatimin e strategjisë.
Më këtë rast u identifikuan qëllime të cilat duhet të plotësohen që të arrihet sundim i së drejtës në funksion të qytetarëve dhe ato janë ndarja e pushtetit, luftë efikase kundër korrupsionit dhe mbrojtje e të drejtave të njeriut. Edhe partitë politike si subjekte aktive të vihen nën parimin e sundimit të së drejtës pasi që sundimi i së drejtës është ngushtë i lidhur me qeverisjen e mirë, vlerësojnë ekspertët.
“Nga një shtet i robëruar 2015 bëmë një lëvizje të vogël drejt regjimit hibrid, akoma shumë larg dhe para në gjendje para juridike shtetërore, ku nuk sundon e drejta, por sundojnë individë, elita politike dhe parti politike. Ne kemi mijëra ligje, por e drejta nuk sundon.”, - deklaroi Vllado Kamboski nga Akademia e shkencave dhe arteve.
Me këtë rast u tha se Institucionet tashmë po punojnë për krijimin e udhërrëfyesve për sundimin e ligjit, për reformat e administratës publike dhe për funksionimin e institucioneve demokratike.
“Sundimi i ligjit është një supozim kyç për zhvillimin dhe funksionimin e ekonomisë, prandaj jemi të detyruar t'i kushtojmë më shumë vëmendje dhe masave më serioze, në mënyrë që në afat të mesëm dhe afatgjatë të vendosim një sistem sipas këtyre udhëzimeve, ku nuk do të kemi nevojë për mekanizma shtesë monitorues të sistemit tonë të drejtësisë, zgjedhjet dhe shkarkimet e gjyqtarëve, cilësisë së drejtësisë dhe gjykimeve, efikasiteti i i proceseve, të cilat janë pjesë vërejtjeve të BE-së.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
“Është e nevojshme një rrugë energjike dhe sistemore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend pa pengesa. Mosndëshkimi nuk duhet të jetë opsion dhe Kuvendi duhet të përfshihet në këtë proces.”, - u shpreh kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.
Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë se ky është vetëm një debat publik formal, që nuk do të kontribuojë në përmirësimin e situatës. Kemi shumë ligje, por nuk kemi sundim të së drejtës, pasi që kemi përzierje klasike të pushtetit ekzekutiv.
“Mendoj se si shtet e kemi mjaftueshëm nga përpjekje deklarative për përmirësimin e gjendjes në Jurisprudencë dhe këtu nuk dua të kuptohem se po flas vetëm për sundimin e së drejtës së këtij pushteti, po flas edhe për gabimet paraprake. Nëse do të ishit mjaftueshëm të vetëdijshëm nuk do të kishim kaq shumë keqpërdorim të flamurit evropian dhe procedura të shpejta për sjelljen e ligjeve. Në shtetin tonë një ndeshje futbolli nuk mund të gjykohet pa ndikim politik, mos të flasim për procese më të mëdha.”, - theksoi Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE.
Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë instrumentet e kontrollit parlamentar për kontroll dhe implementim të ligjeve, u tha në debatin publik.
FLORIJE KAMBERI
