Maqedoni
Spitali i Tetovës, Mexhiti: Ashensorët janë funksional
09.10.2023 16:59
Ende nuk dihet shkaku se pse udhëheqësia e kaluar e Spitalit të Tetovës nuk i kishte rregulluar ashensorët...

Ende nuk dihet shkaku se pse udhëheqësia e kaluar e Spitalit të Tetovës nuk i kishte rregulluar ashensorët, të cilët sot janë në funksion, edhe pse të vjetër e të amortizuar. Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, fajin e hedh tek ish-drejtorët, të cilët kanë vlerësuar se ashensorët nuk mund të rregullohen. Mexhiti tha se angazhohet që Spitalit të Tetovës t’i sigurohen pesë ashensorët e premtuar, por thotë se është hera e dytë që komisioni për prokurime publike i refuzon.
“Pesë ashensorët që i kam premtuar nga dita e parë si ministër i Shëndetësisë jemi duke punuar në atë drejtim. E dini se ka një komision në prokurime publike. Ai komision është faktikisht komisioni profesional që është te ne, kanë vendosur me të gjitha parametrat që të bëhet prokurimi i tyre. Komisioni i rrëzoi ashensorët, ne anuluam atë procedurë dhe filluam procedurë të re. Kur kam dërguar dikë për t’i rregulluar, më kanë thënë se nuk bëhet kjo, do të thotë se me ardhjen e menaxhimit të ri këta kanë mundur të vendosen në funksion, janë të vjetër, të amortizuar, por deri ditën kur të vendosen ashensorët e rinj, këta do të jenë në përdorim dhe këtë e vërtetojnë edhe dy drejtorët e Spitalit të Tetovës.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Drejtori i Spitalit të Tetovës, Ilir Demiri, tha se obligim i sigurimit të ashensorëve është i Ministrisë së Shëndetësisë, por ai tha se në Spitalin Klinik në Tetovë për momentin janë në funksion 90% e ashensorëve dhe ato do të funksionojnë deri me zëvendësimin e tyre me të rinj.
“Tenderin për ashensorët e merr obligim Ministria e Shëndetësisë dhe MSh-ja është në procedurë e sipër dhe kur të kryhen procedurat tenderiale burokratike dhe sigurisht Spitali i Tetovës do të pajiset me pesë ashensor të rinj. Ne kemi ideologji tjetër që deri në momentin kur të vendosim të rinj, të vjetrën e mbajmë në funksion.”, - theksoi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Ilir Demiri.
Këto deklarata u dhanë në Spitalin e Tetovës, ku ministri i Shëndetësisë bashkë me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës dhe drejtorin e Fondit Shëndetësorë përuruan investimet e reja në këtë spital.
VISAR SADIKI
