Futboll

Sonte akti i dytë për takimet, Chelsea –PSG dhe Bayern Munchen - Shakhtar Donetsk

11.03.2015 14:50

Sot në mbrëmje Champions League do të privohet nga një emër i rëndësishëm i futbollit evropian pasi në orën 20:45...

Sot në mbrëmje Champions League do të privohet nga një emër i rëndësishëm i futbollit evropian pasi në orën 20:45 në "Stamford Bridge" Chelsea dhe Paris Saint Germain do të diskutojnë ndërmjet tyre aktin e dytë të fazës së 1/8-ve. 
 
Shorti u tregua vërtet i pamëshirshëm duke i përplasur këto dy klube që në këtë fazë, sidomos pas faktit që edhe edicionin e kaluar këto dy skuadra u ndeshën ndërmjet tyre në fazën çerekfinale. 
 
Gjërat duken më të lehta për skuadrën e Jose Mourinhos, që në "StamfordBridge" duhet thjesht të administrojë barazimin me gola që ekipi siguroi tre javë më parë në "Parc des Princes".
 
Te Chelsea do të mungojë përsëri John Obi Mikel ndërsa mesfushori Nemanja Matiç mbetet në dyshim, ndërkaq në krahun tjetër problemet janë më të mëdha pasi Laurent Blanc nuk do të ketë në dispozicion emra të tillë si Lucas Moura dhe Serge Aurier por në dyshim mbetet mesfushori Yohan Cabaye.
 
Duket i lehtë në letër për Bayern Munchen takimi i sotëm në "Allianz Arena" me Shakhtar Donetsk, por trajneri Pep Guardiola përveçse ka bërrë thirrje për kujdes me shumë gjasa do t'i kthehet mbrojtjes me katër.
 
Problemi më i madh te ekipi bavarez mund të vijë në organizim për shkak të pezullimit të Xabi Alonsos, kështu që në mesin e fushës në krahun e Schweinsteiger pritet të rreshtohet David Alaba.
 
Në ndeshjen e parë Bayerni udhëhoqi lojën duke dominuar me mbajtjen e topit, por gjithsesi skuadra gjermane goditi vetëm një herë drejt kuadratit. 
 
Ekipi i Guardiolës këtë sezon vërtet ka pësuar vetëm katër gola në të gjithë kompeticionet brenda në "Allianz Arena", megjithatë këtë radhë kërcënimi vjen nga Luiz Adriano, që me 9 golat e tij kryeson listën e golashënuesve të këtij ecioni, por rrezik më vete paraqet edhe strategu rumun Lucescu, që në ndeshjen e parë me eksperiencën e tij eklipsoi totalisht një si Pep Guardiola. 
 
Sidoqoftë në gjithë historinë e Kupave të Evropës Bayerni në Mynih nuk ka fituar kurrë me më tepër se një gol diferencë ndaj klubeve ukrainase, kështu që edhe nëse miqtë mbeten në disavantazh minimal përsëri janë të vetëdijshëm se me1 gol jashtë fushe do të kenë shanse reale për të tronditur gjigantët e futbollit gjerman.