Maqedoni

Parlamenti Evropian: Të hetohet përgjimi masiv në Maqedoni

11.03.2015 14:54

Ndërkombëtarët vazhdojnë të shprehin shqetësim të thellë për situatën në Maqedoni, të shoqëruar me kritika të ashpra...

Komisionari për zgjerim, Johanes Han, kërkon hetim rreth audio-xhirimeve që publikon LSDM-ja. Pavarësisht burimeve të materialeve që publikon lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, ato duhet të shqyrtohen seriozisht nga institucionet, deklaron Han.
 
"Pavarësisht burimeve të përgjimit të cilat duhet të hetohen, çdo abuzim i mundshëm që zbulohet në përmbajtjen e tyre duhet të hulumtohet dhe të merren masat e duhura, sidomos në qoftë se shkelin çështje fundamentale të tilla si sundimi i ligjit dhe ndarjes së pushtetit. Në një kohë kur besimi në institucione është i ulët, të gjitha figurat publike duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre”- deklaroi komisionari për zgjerim në BE, Johannes Hahn.
 
Ish-raportuesi i PE-së për Maqedoninë, Riçard Hovit, nuk ka asnjë pikë dyshimi se është përgjuar masovikisht. Hovit, vlerëson se në Maqedoni ka "histori të trishtuar", ku përmes përgjimit sistematik zhvillohen beteja për qëllime politike.
 
Ai tha se në momentin që LSDM-ja publikon materiale të reja për abuzim të pushtetit, qeveria përgjigjet me akuza te reja për korrupsion të dyshuar të Zoran Zaevit. 
 
"Nuk ka dyshim se ka ndodhur përgjim masiv dhe se të paktën disa nga materialet e publikuara janë të vërteta. Ne nuk mund të injorojmë ato dëshmi dhe nuk  mundet as komisionari. Kërcënimi me burg për liderin e opozitës në Maqedoni është një moment i rrezikshëm për demokracinë në vend”- tha ish-raportuesi për Maqedoninë në PE, Riçard Houit.
 
Edhe ministri i Jashtëm sllovak, njëherit edhe ish-deputet nga radhët e Partisë Evropiane Popullore, Eduard Kukan, shprehu zhgënjimin që çdo vit diskutohet për situatën në Maqedoni dhe ajo nuk ndryshon. 
 
"Skandali me përgjimet godet në themelet e demokracisë së vendit dhe zvogëlon besimin e qytetarëve në politikë. Duhet të jemi të gatshëm për të ndihmuar"- theksoi eurodeputeti, Eduard Kukan.
 
Porositë me shqetësime të thella dhe paralajmërimet për pushtetin dhe opozitën u dërguan nga seanca e mbrëmshme e PE-së në Strasburg, në të cilën diskutohej për raportin e progresit të Maqedonisë.
 
Komisionari Han, edhe njëherë potencoi se gjatë vizitës në Maqedoni u ka sugjeruar të gjithë liderëve të partive politike të përpiqen të gjejnë zgjidhje, pasi po luajnë me fatin e shtetit. 
 
SANIJE KASAMI