Bashkëpunimi mbarëshqiptar, Kosova dhe Shqipëria punojnë për arsim kombëtar

11.03.2015 15:11

Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë proceset e programeve të përbashkëta mësimore...

Ministritë e Arsimit të të dyja vendeve u zotuan sot që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në arsimin profesional. Të dyja vendet synojnë që aq sa është e mundshme të kenë programe të përbashkëta në tekstet shkollore, por edhe arsimtarë të përbashkët.

Dy ministrat shqiptarë të arsimit u pajtuan që të punojnë drejt një arsimi kombëtar, një arsimi që nënkupton unifikimin e plotë të programeve të të dyja vendeve në të gjitha nivelet e arsimit.

“Në mënyrë të veçantë jemi dakorduar për bashkëpunimin e ngushtë në sferën e arsimit të lartë. Jemi në proces të hapur të dy shtetet, edhe Republika e Shqipërisë edhe Republika e Kosovës. Kanë hapë procesin e miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë. Jemi duke u koordinuar edhe në nivel politik, edhe në nivel teknik, kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Jemi plotësisht dakord për të krijuar një ligj të mirë për universitetet e forta, për universitete autonome”- deklaroi ministri i Arsimit i Kosovës, Arsim Bajrami.

Ndërsa ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se proceset e bashkëpunimit veç më kanë filluar të japin rezultate.

“Iu siguroj që do të vijojmë jo thjeshtë në rrugën e unifikimit të tërë sistemit tonë arsimor, por kemi filluar me sistemin parauniversitar, do të vijojmë për ta shtrirë edhe në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. ... Ajo që është e rëndësishme është që t’i bëjmë sistemet tona arsimore të unifikuara, sisteme cilësore që mundësohen për të rinjtë e Shqipërisë dhe të Kosovës”- tha ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në takim u diskutua edhe për çështjen e njohjes së diplomave dhe u kërkua krijimi i një sistemi për të lehtësuar këtë proces. Cilado diplomë universitare që njihet nga autoritetet kompetente të Shqipërisë do të jetë në mënyrë automatike e njohur në Republikën e Kosovës”- u tha në takim. (Gyltene Sinani, TVM2)