Botë
Osmani: Nëse na sulmon Serbia, Kosova do të vetëmbrohet
10.10.2023 14:39
Kroacia e kupton më së miri sfidën me të cilën po përballet Kosova, deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Kroacia e kupton më së miri sfidën me të cilën po përballet Kosova, deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në press konferencën e përbashkët me homolugun e saj kroat, Zoran Milanoviq, në Zagreb. Serbia duhet ta merr mësimin për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e Kosovës, ka thënë Osmani, e cila shprehu shqetësimin se Serbia mund ta përsëris agresionin.
“Nëse nuk ka drejtësi për këtë akt agresioni kundër Kosovës, natyrisht se Vuçiqi do të inkurajohet të na sulmojë përsëri, e kur të na sulmojë përsëri, ne do të vetëmbrohemi, sepse natyrisht Kosova nuk do të rrijë duarkryq, por e mbron sovranitetin e saj, e mbron pavarësinë e saj, e mbron lirinë e saj.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Milanoviq: Serbia nuk është konstruktive me fqinjët
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha se Serbia duhet t’i japë disa përgjigje, për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, ndërsa nuk është konstruktive ndaj vendeve fqinje.
“Siç duket Serbia nuk kontribuon në mënyrë konstruktive kur bëhet fjalë për raportet me vendet fqinje, qoftë me Malin e Zi, qoftë me Kosovën, qoftë me Bosnjë-Hercegovinën. Në fund të fundit sikur të kishte një politikë të shëndetshme më racionale do të ishte më mirë për Serbinë.”, - theksoi presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Presidenti kroat tha se Kroacia arriti të luftojë dhe të triumfojë ndaj Serbisë përgjatë historisë, “natyrisht me çmim shumë të madh. Janë krijuar shumë vrasje, gjëra të ndryshme, komplote, por tani nuk jemi në vitin 1014, jemi në vitin 2023.”, tha presidenti kroat.
GYLTENE SINANI
