Ramadani e Seferi optimist për rezultat pozitiv ndaj Çekisë
10.10.2023 14:45
Dy futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani dhe Taulnat Seferi....

Dy futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani dhe Taulnat Seferi janë shprehur optimist për një rezultat pozitiv kundër Republikës Çeke. Të dy futbollistët kanë dalë para mediave në prag të ndeshjes për kualifikueset e kampionatit europian “Gjermani 2024”.
Ramadani ka theksuar se duhet të bëjnë më të mirën në fushë dhe të kërkojnë fitoren, pasi këtë herë luajnë në shtëpi dhe do kenë edhe përkrahjen maksimale të tifozëve. "Është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është ndeshje e lehtë, pasi kundërshtari është i fortë. Kanë pësuar vetëm dy gola, por ne duhet të futemi në fushë vetëm me qasjen e duhur, pa eufori dhe ta bëjmë maksimumin e të marrim rezultatin pozitiv", ka thënë ai. "Ndeshja në shtëpi është më ndryshe, pasi luajmë në fushën tonë, kemi tifozët tonë që na përkrahin shumë. Do hyjmë më ndryshe në fushë, do hyjmë për ta fituar ndeshjen".
Nga ana tjetër, Seferi ka vlerësuar grupin kuqezi, duke theksuar se skuadra është e fortë, e karikuar dhe e fokusuar maksimalisht për ‘finalen’ ndaj Çekisë."Shqipëria futet në lojë për të marrë maksimumin. Besoj që ne kemi grupin e duhur, jemi të karikuar dhe të fortë", është shprehur ai. "Çekia është kundërshtari më i fortë i këtij grupi. Ka pësuar vetëm dy gola dhe nuk ka asnjë humbje. Çekia nuk është vetëm Shik. Janë një Kombëtare fizikisht e fortë dhe duhet të kemi kujdes. Ne duhet të lëmë shpirtin e zemrën në fushë në këtë ndeshje dhe shpresoj që t’ia dalim".
